Inteligjenca Artificiale në Shqipëri synohet që deri në 2030 të përdoret në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe jo vetëm.
Qeveria ka hedhur për konsultim strategjinë Kombëtare për periudhën 2025-2030 e cila synon të vendosë themelet për një transformim digjital përmes ngritjes së Fabrikave të Inteligjencës Artificiale, qendra inovacioni që do të shërbejnë si motorë kryesorë për zhvillimin, testimin dhe zbatimin e zgjidhjeve të avancuara me IA.
Duke shfrytëzuar teknologjitë më të avancuara të Inteligjencës Artificiale dhe të dhëna të cilësisë së lartë, fabrika do të nxisë modernizimin e shërbimeve publike – duke përmirësuar efikasitetin, në sektorë të rëndësishëm si arsimi, shëndetësia, turizmi dhe më gjerë.
Fabrikat e Inteligjencës Artificiale përfaqësojnë një gur themeli të ambicies së Shqipërisë për t’u bërë një qendër europiane për Inteligjencën Artificiale.
Fillimisht e fokusuar te sektori publik, Fabrika IA do të mundësojë zhvillimin e shpejtë të sipas nevojave të ministrive të veçanta.
Për të përshpejtuar zhvillimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri qeveria parashikon që të japë mbështetje me fonde e grante.
Këto fonde do të synojnë të nxisin rritjen e një ekosistemi konkurrues të startup-eve të IA-së, të nxisin inovacionin ndër-sektorial dhe të harmonizojnë përpjekjet sipërmarrëse me prioritetet kombëtare të transformimit digjital dhe IA-së
Në qendër të zbatimit të kësaj strategjie qëndron Këshilli Kombëtar i Inteligjencës Artificiale, i cili do të drejtohet nga kryeministri dhe do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë, akademisë, industrisë dhe shoqërisë civile.
Transformimi digjital i Shqipërisë vitet e fundit ofron një bazë të forte për adoptimin e inteligjencës artificiale. Portali i (e-Albania) ka digjitalizuar pothuajse të gjitha shërbimet publike duke kursyer më shumë se 620 milionë euro, së pari duke eliminuar tarifat për disa shërbime dhe më pas duke shmangur udhëtimet, radhët e pritjes dhe madje edhe kohën e nevojshme për të gjeneruar dokumentin përkatës.
/abcnews.al/

