Reforma e ujit, UKT skema lehtësuese për detyrimet e prapambetura

schedule17:13 - 17 Janar, 2018

schedule 17:13 - 17 Janar, 2018

13 ditë para aplikimit të masave ndëshkuese për konsumatorët që nuk i kanë formalizuar marrëdhëniet me ndërmarrjen e ujësjellësit në Tiranë familjarët kanë nxituar të ndërrojnë ujëmatësat me probleme. Ndërkohë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, UKT po aplikon skema lehtësuese.

Brenda pesë vitesh nga koha e instalimit çdo ujëmates verifikohet për kushtet e tij teknike dhe diçka e tillë po ndodh edhe në Tiranë. Në rast se ai shfaq probleme zëvendësohet me ose pa vullnetin e konsumatorëve.

Evis Gjebrea, nëndrejtoreshë e UKT: “Ujësjellësi bashkëpunon me kompaninë që është e licensuar nga qeveria për të kolauduar ujëmatësin. Dhe në rast se nga ky kolaudim, ujëmatësi është brenda kushteve teknike, sigurisht që ujëmatësi do vazhdojë të jetë i instaluar por në rast se ai del jashtë kushteve teknike jemi të detyruar ligjërisht që ky ujëmatës të zëvendësohet”.

Megjthëkëtë pas 1 Shkurtit për këdo që nuk i ka formalizuar marrëdhëniet e tij me ndërmarrjen e ujësjelles–kanalizimeve nisin ndëshkimet dhe shumë familje në Tiranë nuk kanë pritur që grupet e punës t’i trokasin në derë.
Ky ujëmatës po ndërrohet me kërkesë të familjarëve të cilët në rast se konstatojnë një problem kanë dy mundësi:

Evis Gjebrea: “Qytetari mund të blejë vetë ujëmatësin, por për këtë, ai duhet të njoftojë shoqërinë e ujësjellës-kanalizimeve dhe janë ujëmatësa që kanë mbishkrimin CE, në përputhje me standardet europiane. Qytetari ia delegon këtë të drejtë ujësjellësit, atëherë ujësjellësi e zëvendëson ujëmatësin vetë. Kjo pagesë ngarkohet në faturën mujore, ka një zë që përcaktohet vlera e ujëmatësit dhe kuptohet aty përfshihet jovetëm ujëmatësi, por edhe elemenët shoqërues të ujëmatësit”.

Në një ditë vetem në një njësi administrative në Tiranë, specialistet e UKT na tregojnë se kryejnë rreth 60 zëvendësime të tilla.
Për t’i nxitur qytetarët të shlyejnë para 1 Shkurtit, detyrimet e prapambetura po aplikohen edhe skema lehtësuese.

Evis Gjebrea: “Kësti për t’u shlyer, përveç faturës mujore është dy mijë lekë të reja për qytetarët dhe shtatë mijë lekë për bizneset. Kemi parë një ndryshim edhe të sjelljes së konsumatorëve, qoftë të atyre familjarë dhe biznese përsa i përket lidhjes së këtyre akt marrëveshjeve”.

Ndërkohë që inspektimet për lidhjet e paligjshme janë përqendruar në zonat informale të kryeqytetit. Sipas ndermarrjës së Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë, që nga Korriku i vitit të shkuar janë ndërprerë rreth 10 mijë lidhje të tilla./abcnews.al