Në futboll, aq më tepër në nivele të larta si në Kupat e Europës, vetëm një pjesë nuk mjafton. Madje edhe sikur të jesh në epërsi.
Jo se nuk e dinin, por te Dinamo Siti e konfirmuan këtë në sfidën e vajtjes për raundin e tretë eliminator në Konferencë Ligë.
Skuadra e Ilir Dajës kthehet me humbjen 2-1, por edhe me shumë pengje nga transferta kundër Hajdukut të Splitit.
Kjo për paraqitjen e madhe që blutë bënë në pjesën e parë.
Skuadra shqiptare e nisi ndeshjen si superiore ndaj një rivali me shumë emër dhe që kishte ndihmën e stadiumit të mbushur plot.
Ky guxim solli edhe golin e Dejvi Bregut.
Me një goditje të fortë nga distanca, mesfushori dogji portierin duke sigluar kryesimin e Dinamo Siti në pjesën e parë.
Por shpresat e mëdha të dinamovitëve zgjatën sa pushimi në dhomat e zhveshjes.
Kroatët reaguan shpejt në fraksionin e dytë dhe katër minuta nga rinisja e sfidës barazuan me Durdov.
Goli i pësuar shokoi skuadrën shqiptare, ndërsa i dha zemër mesfushorit të kombëtares kuqezi, Adrion Pajaziti dhe shokëve të tij te Hajduk.
Në minutën e 60-të, sistemi VAR shpëtoi dinamovitët nga një vendim i gabuar i arbitrit për 11-metërsh.
Por në të 64-ën, një gabim në mbrojtje i ndëshkoi ata.
Hajduk shënoi me Sanijang, duke vulosur humbjen e Dinamo Siti, që në ndeshjen e kthimit që do të luajë pas një jave në shtëpi, duhet të niset pikërisht nga pjesa e parë në Split.

