Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Berisha: “21 janari”, krim shtetëror/ Ish-kryeministri e pranon: Por… pa dashje

schedule15:11 - 4 Gusht, 2025

schedule 15:11 - 4 Gusht, 2025

Për herë të parë, Sali Berisha pranoi krimin shtetëror të 21 janarit 2011.

Nga oborri i SPAK, ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë për aferën “Partizani” kryedemokrati foli për vrasjen e katër protestuesve poshtë zyrës së tij, vetëm pak ditë pasi kreu i SPAK, Altin Dumani, zbuloi se po bëhen hetime intensive për ngjarjen e ndodhur gati 15 vite më parë.

“Unë nuk mund të them që ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Ata u vranë nga armët e shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Krimi shtetëror është krim shtetëror me dashje dhe krim shtetëror pa dashje. Ka klasifikim krimi shtetëror. Krimi shtetëror me dashje ka rregullat e veta kur quhet, kur shteti e merr të pafajshëm dhe e pushkaton.”

Në një kohë që hetimet për 21-janarin janë cilësuar prioritet për SPAK, këto ditë të nxehta të gushtit, Berisha duhet t’i shfrytëzojë për të përgatitur mbrojtjen. Pasi edhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, në nëntor të 2023, kërkoi nga institucionet e drejtësisë që të zbulojnë përgjegjësit e vërtetë të krimit shtetëror.

“Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse Garda ka patur një ligj. Në rastin e krimit shtetëror, dëmshpërblimi nga shteti i viktimës është më i madh. Nuk ka patur absolutisht asnjë urdhër. Aq sa është përgjegjës Edi Rama direkt që i solli aty. Ka një deklaratë të qeverisë amerikane aty, që thotë të hetohet nga polici, tek organizatori.”

Në 21 janar të 2011, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit, ndërsa ishin duke protestuar kundër qeverisë së Sali Berishës, asokohe në koalicion me Ilir Metën. Një protestë e thirrur nga socialistët, pikërisht pas publikimit të një përgjimi të ish kreut të LSI, i cili shfaqej duke i bërë presion ministrit të tij për një leje hidrocentrali për të cilin ai thoshte se i ishin premtuar 700 mijë dollarë.

Aktualisht, dosja e 21-janarit po hetohet nga SPAK, ku në procedimin penal janë regjistruar tre akuza; vrasje në rrethana të tjera cilësuese, shpërndorim detyre dhe kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vertetës.

Të treja akukzat potenciale lidhen në fakt me ato që Sali Berisha tha këtë të hënë nga SPAK. Ai pranoi që shteti i vrau, por pa dashje. Që familjet e të vrarëve kanë marrë shpërblim, por vetë ai si kryeministër shpërbleu vrasësit. E vetmja pikë që ai nuk preku është zhdukja e serverit të kamerave të kryeministrisë. Ndoshta sepse ajo është edhe frika më e madhe e tij dhe ndoshta prova më e fortë e SPAK për zbardhjen e të vërtetës: A ka pasur urdhër atë natë për të hapur zjarr dhe gjakosur protestuesit?/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!