Ushtria izraelite “duhet të ndalojë” vrasjen e civilëve palestinezë që mblidhen në pikat e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gaza. Kështu ka deklaruar këtë të martë, më 22 korrik, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
“Kam theksuar qartë se ushtria izraelite duhet të ndalojë vrasjen e njerëzve në pikat e shpërndarjes së ndihmave humanitare,”tha ajo në një postim në rrjetin social Xpas një bisede me ministrin izraelit të Punëve të Jashtme, Gideon Saar.
Vrasja e civilëve që kërkojnë ndihmë në Gaza “është e papranueshme,” insistoi përfaqësuesja estoneze.
“Civilët nuk mund të jenë kurrë objekt sulmi. Kurrë. Pamjet nga Gaza janë të papranueshme,” theksoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu në rrjetin social X.
“Kjo duhet të ndalet tani. Izraeli duhet të respektojë angazhimet e tij,” shtoi von der Leyen.
Sjellim ndërmend se Bashkimi Evropian njoftoi para dy javësh se kishte arritur një marrëveshje me Izraelin për përmirësimin e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gaza.
“Izraeli ka respektuar disa angazhime, siç kam theksuar javën e kaluar, por është e qartë se ka ende shumë për të bërë,”vlerësoi të martën zëdhënësi i shërbimit diplomatik të BE-së, Anouar El Anouni, duke theksuar se shefja e diplomacisë “po ushtron presion” ndaj Izraelit.
Kallas sqaroi në një tjetër postim në X se i ka kujtuar të martën ministrit izraelit se “të gjitha opsionet mbeten në tryezë” nëse Izraeli nuk i respekton angazhimet e tij.
L’orient Le Jour shkruan se një raport i Komisionit Evropian, i prezantuar në fund të qershorit tek 27 shtetet anëtare, vlerëson se Izraeli ka shkelur nenin 2 të marrëveshjes së asociimit që e lidh me BE-në, në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut. / abcnews.al


