Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Të zhvillohemi drejt energjisë së rinovueshme”/ Balluku në Athinë: Përafrojmë legjislacionin me BE

schedule13:29 - 18 Korrik, 2025

schedule 13:29 - 18 Korrik, 2025

Nga Athina, ku mori pjesë në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, Zv, kryeministrja Belinda Balluku tha se Shqipëria po punon për kuadrin ligjor që përafron sektorin e energjisë me atë të Bashkimit Europian, tanimë që jemi në prag të çeljes së grupkapitullit “Agjenda e Gjelbërt dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.

“Sot kur flitet për energjinë si një nga çështjet më të rëndësishme gjeopolitike, sot kur Europa është duke luftuar për të ruajtur kapacitetet e saj, sidomos për të krijuar kapacitete të tjera të energjisë së rinovueshme, padyshim Shqipëria ka shumë për të thënë, ka shumë për të bërë dhe për të ndihmuar edhe shtetet e tjera të cilat janë pjesë e Ballkanit Perëndimor.

Por mbi të gjitha, ne sot ndodhemi në tryezën e negociatave dhe në atë tryezë negociatash roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor. Është një rol i cili nuk mund të zëvendësohet dhe mbi të gjitha ne sot jemi duke bashkëpunuar për të ndryshuar edhe ato kuadre rregullatore të cilat do të na përafrojnë me ligjet e sektorit europian, por nga ana tjetër do të na ndihmojnë edhe për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka agjenda e gjelbërt.”

Balluku tha se Traktati i Komunitetit të Energjisë është kthyer në një udhërrëfyes për Shqipërinë, teksa u ndal edhe tek lidhja nënujore me Italinë.

“Unë uroj shumë në këtë 20-vjetor që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të gjejnë rrugën e tyre sa më të lehtë drejt sigurimit të energjisë, nga ana tjetër sidomos përsa i përket pjesës së interkonjektivitetit që është një çështje e rëndësishme që diskutohet në tavolinat tona, por që nga ana tjetër duhet të bëjmë më shumë, ashtu siç Shqipëria tashmë është e lidhur me Maqedoninë e Veriut, me Greqinë dhe jemi duke punuar intensivisht për një lidhje nën ujore me Italinë.”

Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme  përfshijnë politikën e transportit që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore e hekurudhore, sektorin e energjisë dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji, mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike, përmes standardeve të larta të BE-së, rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhjen infrastrukturore të Shqipërisë me vendet e BE-së, si pjesë e rëndësishme e Korridoreve Evropiane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!