Në Korçë sitet arkeologjike po tërheqin gjithnjë e më tepër turistë. Një prej tyre ëshë Tuma e Kamenicës e cila daton prej shekullit të XII para Krishtit.
Një grup historianësh të antikitetit, mjekësh dhe mësues nga Universiteti i Vjenës dhe Salsburgut kishin planifikur që një vit më parë për ta vizituar. Vizitorët mbetën të befasuar nga jao që panë.
“Punoj në departamentin e antikitetit në universitetin e Salsburgut dhe fokusi im janë arkeologjia nënujore dhe historia e mjekësisë. Shumë mbresëlënëse, më pëlqeu shumë. Një zonë shumë e rëndësishme këtu dhe nga sa dëgjova ka një lidhje mes vendndodhjes dhe Tumës këtu gjë që është shumë e rrallë. Është shumë e rëndësishme puna që është bërë këtu jo vetëm në anën e mjekësisë pra është shumë impresionuese. Shqipëria është një vend shumë interesant, jam i lumtur që jam këtu. Kam qenë vite më parë dhe kam vizituar Butrintin dhe këtë herë kam parë shumë vende historike dhe arkeologjike”, tha një turist.
“Vij nga Vjena dhe jam mësuese e latinishtes ndaj jam shumë e interesuar për arkeologjinë e Ballkanit. Ne kemi shumë studentë me origjinë nga vendet e Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Bosnja si edhe Shqipëria ndaj më shërben të kuptoj më shumë për vendet nga ata vijnë. Mendoj që është shumë interesante dhe keni bërë një punë shumë të mirë në mënyrën sesi e prezantoni historinë tuaj. Mendoj që është ende duke u zhvilluar dhe ajo që i shkrova bashkëshortit tim dje është që jam shumë kurioze sesi do të duket pas 10 vitesh ndaj shpresoj të vijmë pas 10 vitesh për ta pare”, u shpreh një turiste.
“Kemi 2-3 ditë që kemi ndërmarrë këtë tur dhe kemi parë Tiranën dhe Shkodrën. Jemi duke vizituar sitet antike dhe prehistorike dhe ky vend është shumë i pasur. Jam mësuese e latinishtes dhe anglishtes në Vjenë, Austri. Kemi një program shumë të ngjeshur, kemi parë gërmimet e Linit ishte një pamje shumë e bukur në liqen. Është mahnitëse, kemi qenë më herët në një tur në Bullgari dhe aty kemi parë tuma të ngjashme, çka më kujton disi atë kulturë. Interesi im kryesor është kultura romake dhe më pëlqeu shumë rruga Egnatia në Elbasan, por mendoj që ky muze këtu është shumë informues, dhe i mbajtur shumë mire”, shtoi një tjetër.
Në Tumën e Kamenicës ndërtuar në shekullin e 12 para erës së re deri tani janë zbuluar 400 skelete njerëzore të asaj periudhe dhe rreth 3500 objekte arkeologjike. Ajo përfaqëson monumentin më të madh mortor të zbuluar në Shqipëri./abcnews.al

