Barcelona kërkon prej kohësh një sulmues për të zëvendësuar Luis Suarez dhe objektivi i madh i klubit katalanas është Lautaro Martinez. Argjentinasi po shkëlqen tek Interi, është rritur shumë si lojtar dhe po shënon me lehtësi.
Klauzola e largimit të tij është 111 milionë euro, shumë që nuk është problem për kampionët e Spanjës, por ata duan të arrijnë një akord me Interin. Barcelona mund ta kishte blerë sulmuesin 22-vjeçar në vitin 2017 sipas Beteve.cat.
Dy përfaqësues të klubit udhëtuan drejt Argjentinës për të ndjekur finalen e Kupës së Amerikës së Jugut midis Indipendiente dhe Flamengos për të parë nga afër emra si Vinicius Junior, Paqueta dhe Tagliafico.
Por jo vetëm. Barcelona interesohej edhe për Lautaro Martinez, i cili kishte zhvilluar një sezon fantastik me Racing. Akordi ishte shumë afër, por Barcelona hoqi dorë në fund nga lojtari premtues. Shkaku? Lautaro ishte shumë i shkurtër dhe nuk ishte në nivelin e duhur për një ekip si Barcelona! /abcnews.al