Ragip Berisha nga Prishtina është njëri prej peshkatarëve amatorë të Kosovës që frekuentojnë çdo fundjavë liqenin e Kukësit. E cilësojnë relaks dhe e shijojnë qëndrimin pranë bregut të liqenit.
Është në pension e për Ragipin nuk ka rëndësi nëse zë ose jo peshk. Kanë edhe vende të tjera peshkimi e burime ujore, por në Kukës e pëlqejnë më shumë.
Vitin e kaluar ka qenë për herë të parë në liqenin e Kukësit dhe nuk është ndarë prej një viti. Janë grup shokësh nga Prishtina e natën e kalojnë në breg të liqenit.
Është anëtar i licensuar i shoqatës së peshkatarëve të Kosovës, shoqatë e cila ka rregullat e saj jo vetëm të gjuetisë, por edhe përkujdesjes së faunës ujore.
Me vete mbajnë gjithçka që i duhet një peshkatari kur niset për peshkim. Thotë se e ndjen dhe e di kur peshku i afrohet karremit dhe han ushqimin.
Ka të gjithë sinjalizuesit qoftë për ditën por edhe natën me ndriçues. Janë amatorë por e duan peshkimin edhe si sport edhe për ta ruajtur. Peshqit e vegjël I lëshojnë sërish, marrin vetëm ato që u duket se janë për t’u marrë.
Thotë se peshkimi me grep nuk e dëmton peshkun, por janë mënyrat e tjera ato që e dëmtojnë. Ragipi dhe kolegët kujdesen edhe për mjedisin përgjatë bregut të liqenit.
Krapi është peshku më i mirë për Ragipin e nuk ka njohuri të plota për llojet e tjera që rriten në liqenin e Kukësit. Liqeni i Kukësit është më i madhi në vend e më një pasuri të rrallë ujore sa i përket shumëllojshmërisë së peshqve.

