Haradinaj: Për hetimin e vrasjes së Ivanoviç mund të ftojmë FBI-në

schedule20:07 - 16 Janar, 2018

schedule 20:07 - 16 Janar, 2018

Kryeministri Ramush Haradinaj tha pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Kosovë se ekspertë të FBI-së mund të përfshihen në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviç. Ndërsa policia ka zbuluar pronarin e makinës që u gjet e djegur në Mitrovicë.

Qeveria dhe autoritetet në Kosovë mund të ftojnë ekspertë të FBI-së në hetimet për zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviç. Kjo është konfirmuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtorin e policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni pas takimit të Këshillit të sigurisë kombëtare. Në të është biseduar për gjendjen e sigurisë në vend, pas vrasjes në veri të Mitrovicës. Haradinaj dënoi ekzekutimin e Ivanoviç dhe ka bërë thirrje që kjo vepër makabre të mos përdoret nga askush për agjenda të ndryshme politike.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, theksoi se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme pas vrasjes së Ivanoviç në Mitrovicën Veriore.
Haradinaj tha se pala kosovare është e habitur me vendimin e palës serbe për ndërprerjen e dialogut në Bruksel, pas vrasjes së ndodhur në veri të vendit, ndonëse pranoi se dialogu aktual është i konsumuar. Gjithashtu nënvizoi se “është shumë kërcënues lajmi se Serbia synon të armatoset me raketa që arrijnë të gjitha destinacionet e Kosovës”. Pas këtij lajmi sipas kryeministrit kosovar, i takonte Kosovës të kërkonte ndërprerjen e bisedimeve mes dy shteteve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!