Në kulmin e debatit për ligjin e medias online është emëruar drejtori i ri i AKEP-it. Ai është Tomi Frashëri. Vendimi është marrë nga qeveria, ndërsa votimi për Frashërin do të votohet më 19 dhjetor në Kuvend. Disa ditë më parë u largua me akt dorëheqje, kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (AKEP), Ilir Zela. Në letrën e dorëheqjes, ai shprehet se “prej datës, 22 nëntor 2017 kam patur privilegjin që me besimin dhe mbështetjen e plotë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ti shërbej publikut në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Me paqen e njeriut që i ka shërbyer publikut me përkushtim shembullor, në këtë detyrë apo në angazhime publike të mëhershme, pa lejuar në asnjë moment që interesat publike të nëpërkemben nga presioni i pandërprerë i interesave monopoliste, ju njoftoj doreheqjen time nga detyra e Kryetarit të Këshillit Drejtues të AKEP”-shkruan Zela në letrën e dorëheqjes së tij.
Ndërsa Tomi Frashëri ka mbajtur deri më tani detyrën e Shefit të Protokollit në Kryeministri.
Emërimi i drejtorit të ri vjen në kohën kur debatohet ligji për median online, që ka ngjallur mjaft kundërshti. Shoqatat e gazetarëve edhe sot deklaruan në Komisionin e Medias se qeveria po tenton të censurojë median. AKEP dhe AMA janë dy institucionet që do kenë rolin kyç në menaxhimin e medias, nëse ky ligj i kundërshtuar nga gazetarët dhe OSBE-ja, votohet në parlament.
/abcnews.al



