Pasuesi i Julian Ahmatajt: Tirana pret Ilir Dajën, ja plani

schedule10:57 - 11 Dhjetor, 2019

schedule 10:57 - 11 Dhjetor, 2019

Ilir Daja mund të jetë trajner i Tiranës në janar të vitit të ardhshëm. Klubi kryeqytetas e sheh teknikun e Skënderbeut si njeriun e duhur për të kaluar krizën. Thuhet se kanë biseduar dhe kanë arritur një dakordësi.

Tiranës i është thënë të presë deri në janar, pasi në atë kohë mund të ketë shërbimet e një trajneri të niveleve vërtet shumë të larta, Ilir Dajës. Burime tepër të besueshme pranë klubit kryeqytetas bënë me dijë për Abc Neës, se tekniku i Skënderbeut ka dhënë shpresë se mund të largohet nga Korça në mbyllje të gjysmës së parë të sezonit dhe të fillojë punën me fazën përgatitore në nisje të vitit 2020.

Deri në atë kohë, bardheblutë projektojnë Bledar Devollin si njeriun e përkohshëm të stolit. Daja ka qenë trajner i Tiranës në periudhën tetor 2015-tetor 2016, por u shkarkua papritmas pas eliminimit nga Kupa dhe barazimit me Vllazninë në Superligë.

Që nga ajo kohë ai ishte pjesë e Skënderbeut, skuadër që e drejtoi në Ligën e Europës në 2017-2018, duke arritur deri në fazën e grupeve, si dhe duke u shpallur kampion. Më tej, punoi 1 vit si trajner i Flamurtarit, ndërsa këtë sezon u kthye sërish tek Skënderbeu, ku po kalon probleme për shkak të dobësimit të skuadrës dhe krizës financiare, që detyroi lojtarët të bojkotonin edhe stërvitjen.

Ilir Daja është tri herë kampion i Shqipërisë, me Elbasanin në 2006, Dinamon në 2008 dhe pikërisht Skënderbeun në 2018, ndërsa tek Tirana e shohin si alternativë të rëndësishme edhe pse janë përmendur emrat e Gugash Maganit dhe të Ardian Memës për një rikthim, apo të një trajneri të huaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!