Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Veselinoviç: Të fitojë më i miri / Ish-trajneri i Partizanit nuk bën parashikim për ndeshjen

schedule19:30 - 7 Qershor, 2025

schedule 19:30 - 7 Qershor, 2025

E njeh Shqipërinë të paktën për disa muaj. Aleksandar Veselinovic është ish-trajneri serb I Partizanit, një njeri që I njeh të dyja anët e barrikadës, dhe që flet për duelin e sotëm të eliminatoreve të Botërorit mes kombëtares kuqezi dhe asaj të Serbisë.

Për Abc News tregon se përse e ka të vështirë të bëjë një parashikim.

“Është e vështirë që të bësh parashikim për këtë. Edhe njëra, edhe tjetra kombëtare kanë lojtarë që luajnë në ligat e mëdha, ndonëse tani vijnë në një moment jo shumë të përshtatshëm, sepse sapo kanë përfunduar kampionatet në Europë. Ne nuk e dimë se në çfarë gjendjeje janë lojtarët. Disa prej tyre kanë luajtur shumë, disa kanë qenë të dëmtuar. Le të fitojë më I miri, por është e vështirë të mendosh për rezultatin kur nuk di gjendjen e ekipeve”.



A i druhet Veselinoviç problemeve si dikur në 2014?

“Unë nuk jam personi i duhur për të folur për këtë. Unë mendoj se kjo është thjesht një ndeshje futbolli. Nga përvoja ime kur kam jetuar në Tiranë them me bindje se duhet të mendojmë për gjëra pozitive. Unë kam kaluar bukur atje. Duhet të mendojmë vetëm për fushën e gjelbër, për ndeshjen. Natyrisht, tifozët do të krijojnë një atmosferë të zjarrtë, edhe në Tiranë, por edhe kur të luhet në Serbi, por jam i sigurt se nuk do të ketë asnjë problem. E rëndësishme është që të dyja skuadrat të jenë të përgatitura në aspektin psikologjik, të përqëndruara. Kjo është kryesore”.

Trajneri serb thekson një diçka që I lidh dy vendet tona.

“Unë do të doja që gjithçka të shkonte mirë. Siç e dini, Shqipëria dhe Serbia së bashku organizojnë kampionatin europian për moshën deri 21 vjeç. Kur isha tek Partizani, unë kam thënë se kjo është diçka e shkëlqyer, edhe për njërin, edhe për tjetrin vend. Ne jemi thuajse vende fqinj. Ne jemi të dënuar që të bashkëpunojmë në rajon, dhe mendoj se të gjithë duhet të mendojnë sesi të bashkëpunojmë”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!