Simone Inzaghi u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri i Al Hilal në Arabinë Saudite. Tekniku italian u largua nga Inter menjëherë pas dështimit në finalen e Champions me humbjen e thellë 5-0 kundër Paris Sent Zhërmen, ndërsa me klubin saudit firmosi një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.
Por ajo që është më e rëndësishme, nga “martesa” me sheikët arabë, Inzaghi do të arkëtojë 25 milion euro.
Një shifër marramendëse që e bën atë trajnerin më të paguar në botë, duke lënë pas Pep Guardiola që te Manchester City fiton 23 milion euro, ndërsa podium plotësohet me Mikel Arteta dhe Stefano Pioli që marrin 18.5 milion euro në sezon, përkatësisht te Arsenal dhe Al Nasr.
Një arsye fortë që shtyu Inzagin, ashtu si çdo njëri tjetër ndoshta të largohej nga Inter, kun ë rastin më të mirë, në rast se do të rinovonte kontratën do të fitonte 7 milion euro, pra thuajse tre herë e gjysmë më pak.
Por në fjalët e para si trajner i Al Hilal, tekniku italian ka dribluar këtë diskutim, madje duke e treguar veten si një tifoz i vërtetë i futbollit arab.
“E njoh mirë Al Hilal sepse e ndjek futbollin arab dhe kam luajtur disa herë këtu me Lazio dhe Inter. Futbolli këtu po rritet, pastaj trajnerët dhe futbollistët e huaj po sjellin më shumë kualitet”.
Simone Inzaghi do të debutojë me Al Hilal në Botërorin e Klubeve që nis më 15 qershor, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një përplasje me Inter pas fazës së grupeve.

