Gjyqtarja Elsa Ulliri, e cila do të kryesojë trupën gjykuese ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe katër të pandehurve të tjerë, rezulton të ketë një lidhje të afërt familjare me një prej deputeteve të Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për Andia Ullirin, e cila hyri në Kuvend pas zgjedhjeve të vitit 2021.
Andia Ulliri kandidoi gjithashtu edhe në zgjedhjet e 11 majit, në listën e hapur të Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit.
Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi mundësinë e një konflikti interesi mes gjyqtares Elsa Ulliri, e cila do të shqyrtojë një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore në vend, dhe ish-kryeministrit që aktualisht mban edhe drejtimin e Partisë Demokratike, në të cilën bën pjesë edhe Andia Ulliri – lidhje e afërt e gjyqtares.
A mund të gjykojë një e afërme e një deputeteje demokrate, shefin e saj politik?
Juristi Jordan Daci, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se nuk ka një tregues të mjaftueshëm për të provuar njëanshmëri në procesin gjyqësor ndaj Sali Berishës:
“Formalist, nuk ka konflikt interesi. Nga ana tjetër, për të arritur nëse ka konflikt apo jo, ka një test, që mund ta kërkojë prokuroria. Në secilin rast do të bëhet testi, ku duhet të kemi tregues objektivë në radhë të parë dhe më pas tregues subjektivë. Për momentin, nëse marrim treguesit objektivë, nëse kushërira e saj është deputete, nuk tregon që ka një konflikt interesi. Nuk tregon se ka një anshmëri. Në rastin konkret, është një tregues shumë i dobët për testin e Strasburgut.”
Çështja mbetet delikate, ndërsa opinioni publik dhe opozita do ta ndjekin nga afër zhvillimin e këtij procesi dhe çdo vendimmarrje që mund të cenohet nga perceptimi për konflikt interesi./abcnews.al

