DURRËS- “Abeona”, jahti luksoz në pronësi të manjatit dhe themeluesit të Amazon, një prej njerëzve më të pasur në botë, Jeff Bezos, është ankoruar në brigjet shqiptare. Lajmin e konfirmoi autoriteti portual i Durrësit në një postim në rrjetet sociale.
Pagëzuar me emrin e Perëndeshës romake, mbrojtëse e fëmijëve dhe udhëtarëve gjatë lundrimeve të gjata, “Abeona” u ankorua në Portin e qytetit bregdetar.
Lançuar në vitin 2023 nga prestigjiozi holandez Damen Yachting, ky jaht karakterizohet nga një superstrukturë alumini rreth 76 metra dhe gjerësi prej 12 metra. Jahti “Abeona” është i njohur për dizajnin e tij modern dhe teknologjitë e avancuara që ofron, duke përfshirë shumë komoditete luksoze për pasagjerët dhe një ekip të dedikuar për të siguruar një udhëtim të përsosur.
“Abeona” lundron nën flamurin e Ishujve Kajman dhe ka mbërritur mëngjesin e kësaj të premteje nga porti francez në kalatën nr. 5. Ky është një moment i rëndësishëm për Portin e Durrësit, i cili po zhvillohet gjithnjë e më shumë për të akomoduar jahtet dhe anijet e luksit.
Në këtë kontekst, mbërritja e jahtit “Abeona” është një shenjë e rëndësishme e zhvillimit të Durrësit si një destinacion prestigjioz për lundruesit dhe turizmin e luksit. Ky jaht po ashtu do të ndihmojë në promovimin e infrastrukturës portuale dhe turizmit të elitës në këtë qytet./abcnews.al


