Kriza koreane, Kina kritikon takimin e Vankuverit

schedule15:35 - 16 Janar, 2018

schedule 15:35 - 16 Janar, 2018

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se nuk janë të interesuara për një zgjidhje gjithëpërfshirëse të çështjes koreano-veriore, pasi sipas saj, po zhvillojnë samite pa praninë e aktorëve kyç, që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës bërthamore.

Qeveria kineze ka kritikuar samitin e thirrur nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara mbi krizën koreano-veriore, duke e cilësuar atë si ilegjitim për faktin se Pekini, një lojtar kyç në këtë çështje, nuk ishte i përfaqësuar. Mungesa e Kinës dhe Rusisë në takimin dyditor të nisur të hënën në Vankuver, për qeverinë kineze tregon se Uashingtoni nuk është i interesuar për një përgjigje të unifikuar ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut. “Palët më të rëndësishme të përfshira në çështjen e gadishullit korean nuk kanë marrë pjesë, ndaj nuk mendoj se ky takim mund të konsiderohet legjitim”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang.

Në një komunikim me mediat, zëdhënësi ka denoncuar mentalitetin e Luftës së Ftohtë të disa vendeve, gjithsesi pa i përmendur ato. Kina, aleati kryesor ekonomik dhe diplomatik i Koresë së Veriut, përveç kritikave per bisedimet e Vankuverit, ka bërë thirrje që takime për çështje të tilla, të zhvillohen vetëm brenda kuadrit të Kombeve të Bashkuara.
I ashtuquajturi Grupi i Vankuverit përbëhet nga 20 vende që kanë marrë pjesë në Luftën Koreane të viteve 1950-53. Mes tyre janë Australia, Britania, Franca, India, Japonia, Filipinet dhe Korea e Jugut. Për Shtetet e Bashkuara, qëllimi i këtij samiti është konsultimi me aleatët për efikasitetin e sanksioneve të deritanishme që i janë vendosur Veriut komunist dhe diskutimi nëse janë të nevojshme, i masa të mëtejshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!