Tiranë- Ekspertja, Nirvana Deliu në një intervistë në “News Line” në ABC News, komentoi Samitin në Tiranë që pritet të mbledhë nesër në Tiranë liderët e vendeve evropiane.
E ndalur te konferenca e përbashkët që zhvilloi këtë të enjte kryeministri britanik Keir Starmer me kryeministrin Rama një ditë para Samitit, ekspertja Deliu e vlerësoi si shumë të rëndësishme. Ndërsa tha se Shqipëria ka treguar se është një partnere e rëndësishme për Bashkimin Europian.
Po ashtu një koment e dha edhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit duke thënë se në tërësi ka qenë një proces i qetë dhe me standarde europiane. Ndërsa shtoi se pas 15 majit, të Samitit, do të jetë në 22 maj Konferenca Ndërqeveritare për të hapur një tjetër grup-kapitull të rëndësishëm.
“Është shumë e rëndësishme zhvillimi i këtij Samiti. Dhe kur flasim për kufij apo menaxhimin e tyre, dhe kjo ka qenë edhe një nga shtyllat kryesore të bisedimeve. Dua të them se jemi vendi i tretë që zhvillojmë këtë Samit, si një vend jo anëtar i BE që mirëpresim Samit të këtij niveli. Kjo është për t’u vlerësuar. Edhe pse dua të them se vendi ynë ka pritur edhe Samitet të nivele të tjera. Do të jenë pjesëmarrës emra shumë të rëndësishëm. Me këtë Samit përmbyllet edhe turi ballkanik gjatë këtyre ditëve. Dhe kjo tregon që ne vazhdojmë të jemi një partner i rëndësishëm i Europës, apo edhe një mbështetje që bëjnë shtetet europiane ndaj vendit tonë. Por edhe ne kemi ofruar politikat tona të plota dhe bashkëpunim me shtetet e Bashkimit Europian”, tha mes të tjerash ajo.
/abcnews.al/

