Racizmi i tifozëve të Vardarit, thirrje anti-shqiptare dhe kaos jashtë stadiumit

schedule13:50 - 9 Dhjetor, 2019

schedule 13:50 - 9 Dhjetor, 2019

Racizëm kundër shqiptarëve nga tifozët e Vardarit të Shkupit në ndeshjen e luajtur ndaj Shkëndisë së Tetovës në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Derbi mes kryesuesve dhe kampionëve u zhvillua ditën e djeshme dhe përfundoi në barazim 2-2. Takimi u luajt në stadiumin “Filipi II” të Shkupit dhe dueli Vardar-Shkëndija Tetovë, më shumë sesa rezultati, bëri jehonë për sjelljen e një pjese të tifozëve vendas.

Tifogrupi “Komitët” dhe grupime të tjera brohoritën thirrje antishqiptare në rrugën e Shkupit përpara takimit, ku nuk mungonte shprehja “shqiptar i mirë, është shqiptari i vdekur”. Mediat nga Prishtina njoftuan se tifozë të Vardarit sulmuan edhe makina të parkuara pranë stadiumit, duke piketuar më shumë mjetet me targa të Kosovës.

Për sa i përket duelit të javës së 18-të, ai përfundoi 2-2, një rezultat jo i keq për Shkëndijën e Tetovës, pasi luante në fushë kundërshtare, por që nuk e lejoi t’i afrohej Vardarit që kryeson renditjen me tetë pikë më shumë se kuqezinjtë e Gjokës. Vardari kaloi në epërsi me anë të Darko Micevskit, por Omar Imeri barazoi për miqtë që në pjesën e parë. Pas pushimit, Ali Ademi i dha sërish avantazhin vendasve, por Shkëndija nuk u dorëzua.

Skuadra shqiptare realizoi golin e barazimit në minutën e 65-të me të njëjtin autor, Omar Imerin, ndërsa trajneri Ernest Gjoka bëri këtë koment për ndeshjen. “Shkëndija u përpoq ta fitonte ndeshjen në minutat e fundit, por nuk ia arriti qëllimit. Tetovarët kanë dalë dy herë radhazi kampionë, dhe do të synojnë ta fitojnë sërish kampionatin“. /abcnews.al