Meta kthen ligjin për Rininë: Qeveria kërkon të përjashtojë zërat opozitarë

schedule12:16 - 9 Dhjetor, 2019

schedule 12:16 - 9 Dhjetor, 2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer pas në Kuvend ligjin për Rininë. Ai kritikon qeverinë se përmes këtij ligji, rrezikon që të përjashtojë nga veprimi publik zërat rinorë opozitarë dhe tu japë Këshillave Rinorë një varësi të rrezikshme partiake.

Në relacionin e tij, Presidenti Meta kritikon nenet që përcaktojnë se Këshilli Kombëtar për Rininë kryesohet nga ministri përgjegjës, i cili emëron dhe anëtarët.

Ky proces emërimi politik dhe ky nivel përfaqësimi që ngelet sërish në lirinë e veprimit të një funksionari politik, vendos realisht nën kontroll dhe mbikëqyrje rininë shqiptare dhe krijon rrezikun që çdo përfaqësues me peshë dhe zë objektivisht opozitar me vullnetin politik  të qeverisë, të ngelet jashtë këtyre organizmave apo zëri i tij të mos merret parasysh.

E njëjta kritikë është edhe për Këshillat Vendore të Rinisë, të cilat drejtohen nga kryetari i Bashkisë, dhe është pikërisht kryetari ai që emëron anëtarët e Këshillit Vendor.

Vetë strukturat drejtuese të këtyre këshillave janë parashikuar të jenë funksionarë politikë. Vendosja e të rinjve apo organizatave të tyre nën këtë udhëheqje nuk mundet të sjellë përkrahjen e duhur, por saktësisht efektin e kundërt, atë të vënies në dispozicion të organizatave rinore, rrjeteve rinore e të rinjve nën drejtimin ekskluziv politik.

Ligji për Rininë u miratua nga Kuvendi në 4 nëntor, dhe Presidenti ka firmosur rishqyrtimin në 25 nëntor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!