Kongresmeni Nadler: Nëse Trump del para gjykatës shpallet fajtor në 3 minuta

schedule22:18 - 8 Dhjetor, 2019

schedule 22:18 - 8 Dhjetor, 2019

Kreu i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po shqyrton listën e akuzave kundër Presidentit Donald Trump tha se ekziston një çështje “e fortë” kundër Presidentit.

Kongresmeni Jerrold Nadler deklaroi në CNN se Presidenti Trump do të shpallej fajtor në “tre minuta” nëse ai do të përballej me këto akuza para një jurie të gjykatës penale. Sipas tij, Trump abuzoi me postin duke i kërkuar Ukrainës të hetojë një nga kundërshtarët e tij kryesorë në zgjedhjet e vitit 2020, ish-nënpresidentin Joe Biden.

Nadler tha gjithashtu se nëse Presidenti Trump “kishte ndonjë provë shfajësuese”, do ta kishte bërë të ditur, para se të refuzonte pjesëmarrjen, siç bëri Shtëpia e Bardhë, para se Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve të shqyrtonte akuzat për shkarkimin nga detyra të Presidentit republikan.

Zoti Nadler tha se paneli juridik, pas një seance dëgjimore të hënën mbi provat e mbledhura tashmë nga Komisioni i Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve për ndërveprimet mes Presidentit Trump dhe ndihmësve të tij për Ukrainën, mund të votojë mbi listën e akuzave deri në fund të javës.

Më pas, një votë e plotë e Dhomës së Përfaqësuesve mund të jetë në rrugën e duhur për të fajësuar Trump përpara se të fillojnë pushimet për festat e Krishtlindjeve, duke hapur rrugën për një gjykim në Senatin me shumicë republikane në janar, edhe pse dënimi dhe shkarkimi i Presidentit Trump mbetet i pamundur./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!