“Ju përgjërohem, sa më pak TV, hiç portale dhe qenefe dixhitale mundësisht, hiç fare dhe ndjesë për gjuhën, po të keqen e qenefit në fakt kur sheh se çfarë ere të rëndë mërzie dhe pasigurie dhe pështjellimi e përzierje krijojnë të ashtuquajturat burime informimi dhe se sa të pakta janë pasqyrimet njerëzore dhe arsyetimet shkencore në panairin mediatik të Shqipërisë, po për fat të keq njësoj edhe të Kosovës”.
Kryeministri Rama përdori këtë gjuhë ndaj mediave, të martën e 3 dhjetorit, teksa po largohej drejt Londrës. Po shkonte për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, ku do kërkonte mbështetje financiare, 1 javë pasi Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 e shkallës Rihter, me 51 viktima. E kishte quajtur pabesi të natyrës, por ishte sjellja ndaj mediave ajo që ngjante e tillë. Përse vallë KM përdori aq shumë energji kundër mediave, në një situatë delikate për vendin?
Të martën e 26 Nëntorit në 3 e 54 minuta të mëngjesit, një tërmet me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter goditi Shqipërinë, me epiqendër Durrësin. Goditja e fortë pasonte atë të gati dy muajve më parë, më 21 shtator, në 16 e 04 min të pasdites, me magnitudë 5.6 shkalla Rihter, po me epiqendër Durrësin.
Të parat ishin mediat, që u bënë burimi jetik i informacionit për situatën, teksa njerëzit dolën në rrugë të panikuar. Më pak se 30 minuta pas tërmetit, televizionet informative të parat, hapën studiot dhe nisën ekipet në terren, duke filluar kështu një maratonë informative live, mbi situatën në Tiranë e Durrës.
Rama u shfaq përmes këtij postimi në FB, pesë orë pas tërmetit. Kishte qenë duke telefonuar një pjesë të mirë të homologëve nga vendet fqinjë e në Europë për të kërkuar mbështetje.
Skuadra emergjence pritej të vinin nga vende të ndryshme, të parat nga Kosovë, sipas KM për të shpëtuar të mbijetuar nga rrënojat e pallateve e banesave, të shembura nga tërmeti. Por informacion zyrtar për situatën ende nuk kishte, dhe mediat në terren mbetën te vetmet raportuese në mbi pesë orët e para pas tërmetit.
Të dhënat e para zyrtare erdhën në orën 09.33, nga ministrja e mbrojtjes, pas inspektimeve në dy zonat ku tërmeti kishte shembur pallate e shtëpi, në Durrës e Thumanë.
Olta Xhaçka: Durrësi dhe Thumana janë dy lokalitetet e goditura më rëndë. Me dëme të mëdha materiale e tragjikisht edhe me 7 jetë të humbura, siç konfirmohet deri në këto momente sipas informacioneve paraprake. Në të gjitha këto zona, në të gjitha godinat e shembura vazhdon puna e kërkim – shpëtimit, por siç keni mundur ta ndiqni edhe përmes mediave, janë operacione tejet të vështira, ku duhet punuar ngadalë pasi ekziston një rrezik shumë i madh që godinat të pësojnë shembje ose rrëshqitje të mëtejshme, duke rrezikuar jo vetëm banorët që mund të jenë të bllokuar, por edhe forcat e shpëtimit.
Gati 10 orë pas tërmetit, Km postoi këtë video mesazh, ku fliste për pabesi të natyrës
5 orë më vonë Edi Rama bënte të ditur se qeveria do nënshkruante një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe Vlorës, për të mos i lënë njerëzit të kalonin festat e fund-vitit në çadra.
Numri i viktimave të nxjerra nga gërmadhat kishte shkuar 19, e po shtoheshin pikëpyetjet se përse nuk shpallej gjendja e jashtëzakonshme. E parashikonte qartë një ligj i miratuar me propozim të Kryeministrit më 18 korrik 2019, ai për mbrojtjen civile, që synonte garantimin e mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës etj, përmes forcimit të sistemit të mbrojtjes civile. Por Kryeministri e shmangu përgjigjen, i pyetur pasditen e ditës së tërmetit, teksa ndodhej në Durrës.
Kërkimet nën rrënoja vijonin, në Durrës e Thumanë, e ato përcilleshin nga çdo TV e media sociale. Pak pas orës 19.30 të mbrëmjes, edhe Kryeministri postoi një video nga kërkimet në një pallat në Durrës, e më vonë shkoi edhe vetë, duke vlerësuar punën e ekipeve shqiptare, e posaçërisht Trupat speciale të Kosovës, të mirë-pajisur edhe me qen kërkimi nën rrënoja, si dhe ekipet e ardhura nga Greqia, Kroacia, Rumania, Franca, Turqia, Zvicra e Italia.
Të njëjtën mbrëmje të 26 nëntorit, pasi kishte vizituar të lënduarit në spitalin e traumës, Km u përball sërish me pyetjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Rama: Eshtë e çuditshme ta dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë. Çfarë do të thotë? Akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme?! Nuk është se sjell më shumë se sa ka sjell sot gjithë ky solidaritet. Nuk do të ndryshojë asgjë. Natyrisht, nesër është dita për të menduar për të gjitha.
Të nesërmen, në 7 e 20 të mëngjesit, Rama thirri mbledhjen e parë të jashtëzakonshme të qeverisë. 27 orë pas tërmetit, kur nr i viktimave kishte shkuar në 31, KM shpalli ditë zie dhe gjendjen e emergjencës për Tiranën e Durrësin.
“Do shpallim gjendjen e jashtëzakonshme bazuar në Kushtetutë. Ashtu si Kushtetuta dhe legjislacioni shtjellojnë, duke nisur nga natyra dhe perimetri i situatës do të jetë gjendje e jashtëzakonshme për dy rajonet e prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë, Tiranën dhe Durrësin”.
Në fakt, ç’ka ishte shpallur nuk ishte gjendja e jashtëzakonshme, por gjendja e fatkeqësisë natyrore, e parashikuar si në nenin 174 të kushtetutës, ashtu edhe në ligjin që vetë kishte propozuar 4 muaj më parë (neni 39). Emërtimi ishte i qartë, edhe në VKM që u publikua në FZ, por jo në faqen e KM.
Ndërsa Shqipëria tregoi kapacitete modeste të emergjencave civile, spikati lëvizja e duhur e KM, për të lidhur kontrata me hotelet e Dr, Kavajës e Vlorës në fillim, për të strehuar banorët, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan rëndë nga tërmeti.
Në mënyrë sistematike, Edi Rama shfaqej tek këto hotele, duke takuar banorët e mbetur pa strehë, e më tej duke falënderuar ekipet e huaja që punonin nën rrënoja. Gjithçka përcillej përmes televizionit të tij online.
Eshtë momenti kur tashmë Rama nis të shfaqet disa herë në ditë, deri pas mesnate, e me vete ka vetëm ERTV-në e tij. Shfaqet edhe përkrah personazheve të njohur të vullnetarizmit, si Elvis Naçi, apo Arbri i Fundjavës Ndryshe, që kishin iniciuar fushata solidariteti në mbështetje të banorëve të prekur nga tërmeti.
Përmes ERTV shqiptarët panë se si dukej një super-magazinë, ku mblidheshin ndihmat e organizatës Fundjava Ndryshe, edhe pse nuk panë një të tillë shtetërore.
Solidarizimi i menjëhershëm i Kosovës, si në nivel shtetëror ashtu edhe qytetar, dominoi pozitivisht çdo media tradicionale e sociale, në ato orë të para, tejet të vështira. Rama u shfaq në Durrës në krah Zv.Km të Kosovës, biznesmenit të njohur Behgjet Pacolli. E falënderoi për mbështetjen që vazhdonte të vinte nga Kosova, por nuk u shfaq reflektues për heqjen e tarifës në rrugën e Kombit për automjetet dhe ekipet e solidaritetit.
Rama: Kush jep ndihma me zemër mund t’i paguaj edhe 5 euro Tarifa tek rruga është detyrim i të gjithëve dhe ka të bëjë me shërbimin e infrastrukturës, me sigurinë rrugore dhe me shtetin, tani në qoftë se vjen me zemër për të dhënë shumë më tepër se sa ato 5 euro, 5 euro nuk janë një diskriminim ato paguhen në të dy anët e kufirit dhe ne edhe ne Kosovë dhe në Shqipëri…
U provua shumë shpejt jashtë loje me pozicionin e vet, kur Koncesionari bëri të ditur se që ditën e tërmetit më 26 Nëntor, kishte lejuar kalimin pa pagese te të gjithë makinave të Kosovës e Shqipërisë, që janë solidarizuar, apo qe kane sjelle ndihma për te prekurit nga tërmeti. E kështu do vijonte deri në përfundim të situatës emergjente.
Një moment bllofi, që nuk ia lehtësonte marrëdhënien delikate me Kosovën, e reflektuar edhe në perceptimin publik. Në mbrëmje vonë, rreth orës 22.30, përmes një sqarimi të gjatë në FB, mohonte ç’ka kishte pohuar me zë e figurë dhe konfirmonte vendimin, që koncesionari e kishte bërë të ditur orë më herët.
Në siklet e sipër, u kujtonte të gjithëve se si e kishte mbrojtur pavarësinë e KS në Beograd. Mungesa e qetësisë, dukej se i kishte cenuar kreativitetin, pasi një nga lëvruesit më të mirë të gjuhës shqipe, nuk kishte përzgjedhur dot term më të mirë për të prekurit nga tërmeti, sesa epiteti “fatkeqë”.
Nuk po e kapte dot boshllëkun që kishte lënë me mungesën disa orëshe të reagimit publik, prej rënies së tërmetit. E kishte humbur garën me tempizmin e reagimit në atë situatë.
Mediat nuk kishin ndenjur në pritje të qeverisë, por ishin pozicionuar si burim informacioni në kohë reale në pikat e nxehta, Durrës e Thumanë, nga ku realizonin transmetime maratonë live, ndërsa KM, që e përcillte punën e tij, vetëm përmes ERTV, jo gjithnjë arrinte të thyente programacionin e tyre, që pasohej hapjen e studiove, kryesisht për ekspertë.
Përjashtim bënte takimi i mëngjesit, pak pas orës 7, ku televizionet i jepnin gjithë hapësirën e nevojshme, ndërsa aktivitetet pasardhëse, nuk kishin të njëjtin fat, pasi mediat tashmë e kishin shtrirë raportimin përveç Durrësit e Thumanës, edhe në Lezhë e Laç, pasi gjeografia e dëmeve ishte zgjeruar.
Kryeministri shpërtheu ndaj mediave në mbledhjen e dytë të qeverisë, në ditën e pavarësisë më 28 nëntor, duke i akuzuar se po mbillnin panik.
Rama: Iu bëj thirrje të gjithëve duket besuar se i bëjnë nga mungesa e një reflektimi pak të cekët, që të mos na detyrojnë që nga gjendja e jashtëzakonshme, që të marrin masa që t’ju fikim dritën e ekraneve e pasqyrave të tyre.
Paralajmërimin e përsëriti edhe njëherë me shkrim në faqen FB, duke kërcënuar me mbyllje mediat si tradicionale ashtu edhe sociale.
“Paralajmëroj për herë të fundit, portalet e kanalet e informimit, se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, do të jem i detyruar të ndërhyj, forcërisht, për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me publikime rrenash që përhapin panik!”
Këto akuza të forta, të përsëritura e pa nominuar askënd, kishin tiparet e një intimidimi ndaj të gjithëve, e dukej ky ishte synimi. Vijon t’i referohet të drejtave ligjore që i lindin shtetit në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe pse në fakt vetë nuk ka shpallur një të tillë, por vetëm gjendjen e fatkeqësisë natyrore, të pjesshme, në disa qarqe. Të ishte vallë ai artikulim i Kryeministrit, diçka e menduar, e aspak lapsus?
Rama: Por për atë që nuk e dinë, gjendja e jashtëzakonshme nuk është çështje thjesht financash, por e një sërë masave. Nuk e di nëse janë të gatshëm ata që e predikonin gjendjen e jashtëzakonshme që t’u nënshtrohen këtyre masave. Gjendja e jashtëzakonshme, për një periudhë 30 ditore, ka hapësirat dhe detyrimet për ata që duhet ta qeverisin atë.
A e ka shpallur vallë Edi Rama këtë situatë, për të patur fuqi, që do i njiheshin, vetëm në kushtet e një gjendje së jashtëzakonshme?
Dyshimet u shtuan kur në mbledhjen e katërt të jashtëzakonshme të qeverisë, Edi Rama kritikoi hapur ministrin e brendshëm se nuk kishte marrë masa, për ato që i quajti sulme kibernetike, pasi vlerësoi negativisht emisionet televizive.
Rama: Më vjen shumë keq për rolin absolutisht problematik të mediave në këtë proces. Jo të gjitha, natyrisht. Më vjen shumë keq për klimën acaruese që krijojnë mjediset e debateve mediatike…i kam parë sintezat e këtyre debateve në raportimin që marr dhe jam i mahnitur nga mungesa e mirëkuptimit të disa prej këtyre moderatorëve për nevojën e madhe që ka ky vend, ky popull, për të marrë mesazhe qetësie…Ne nuk mund të bëjmë më shumë sesa të kërkojmë pak më shumë mirëkuptim, pak më shumë angazhim edhe nga ata. Këto ditë kanë nxjerrë në pah një dobësi të pranueshme në Ministrinë e Brendshme, lidhur me gjithë hallkën e luftës kundër krimit kibernetik. Kapacitetet zero dhe aftësitë për të reaguar ndaj lajmeve të rreme, për të reaguar ndaj shprehjeve të urrejtjes, apo të racizmit madje, për të reaguar ndaj sulmeve kibernetike, zero
Pas kësaj, akuza më e përdorur ishte “për përhapje paniku” që pasohej me ndërhyrjen e policisë. Një aktiviste nga Durrësi u arrestua se ndau në faqen e saj FB një shkrim të italianes L’avvenire, ku thuhej se tërmeti mund të kishte dëmtuar depozitat e ujit në Durrës. Administratori dhe një punonjës i portalit JOQ u proceduan, sipas policisë pasi lejuan publikimin e lajmeve të paverifikuara, ndërsa portali u mbyll pa u publikuar një urdhër a referencë ligjore.
Një përplasje mes aktivistëve të Aleancës për mbrojtjen e Teatrit dhe ministrisë së brendshme, erdhi kur aktivistët publikuan këtë video të xhiruar prej tyre, ku duket një makinë që po shkarkon ndihma në godinën e ministrisë së brendshme.
Një aktiviste që e ndau në FB u tentua të ndalohej, por policia u tërhoq, kur aktivistët e tjerë i dolën në krah dhe e postuan live në FB atë procedurë të policisë së shtetit.
A po zbatohen vallë urdhra të një gjendjeje të jashtëzakonshme, edhe pse zyrtarisht është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, edhe ajo, vetëm në një pjesë të vendit?
Dukshëm Kryeministri nuk i duhen zërat kundër në këtë situatë, ku përgjegjësia e shtetit artikulohet krejt dobët. Pasditen e 30 nëntorit përmes një Twitteri, ftoi Lulzim Bashën të ulej në tryezë me të, për të dëgjuar idetë dhe propozimet konkrete për të dëmtuarit nga tërmeti.
Nuk mungoi edhe tirada ndaj strategjisë së zgjedhur nga PD për vetëpërmbajtje, edhe pse politikisht komode për Ramën.
“Për çdo gjë ka një kohë nën këtë qiell; një kohë me lind e një kohë me vdek; një kohë me i mbledh e një kohë me i largu gurët; një kohë me rrëzu e një kohë me ngrit; një kohë me fitu e një kohë me hum; një kohë me u luftu e një kohë me u paqtu..” Kjo është koha me u ftillu”
Lëvizja nuk mori vëmendjen e duhur mediatike, ndërsa u lexua si kosto politike për Bashën, që kujdesshëm e refuzoi.
Mungesa e interesit publik, solli edhe humbjen e interesit të Ramës mbi atë mundësi bashkëpunimi, ndërsa vijonte kontaktet për ndihma me vendet e huaja, pasi fatura financiare vinte në rritje. Basha mblodhi ekspertët, e nxori 3 propozime, por Rama nuk i konsideroi.
Iu rikthye edhe njëherë mediave, me shkak dëmtimet nga pasgoditjet në spitalin e Durrësit.
Një vizitë e Bashës në këtë spital pas atij lajmi, teksa ministrja Manastirliu e shoqëronte, tërhoqi vëmendje të lartë mediatike. Katër ditë më vonë, nga i njëjti spital, anatemonte sërish mediat
Rama: Se janë shumë interesant këta të mediave. Dje ishte njëra thoshte ‘jam këtu në qytetin fantazmë të plazhit, aty fantazmë është në dimër se nuk shkon njeri. Problemi është te struktura, prandaj po sjellim të huajt që të kemi një garanci ne…i lujtën mendsh këta televizionet.
Narrativën se mediat po përhapnin panik, pa nominuar askënd, kryeministri e mbante gjallë në çdo rast, edhe kur e zgjedhura e tij në krye të Bashkisë Dr, Valbona Sako, dha dorëheqjen në kulmin e situatës së vështirë, me arsye publike, disa deklarata të pamenduara televizive.
Kryeministri e shmangu transparencën për këtë moment, duke kundërsulmuar mediat.
Rama: Mos të merremi me këto histori anësore. Ju jeni heronj në terren, por ata që ju drejtojnë me telefon nga redaksitë dhe të mbledhin në darkë lloj-lloj sharlatanët, pasi njerëzit janë të tmerruar. Një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet e debateve pa kuptim… i luajtët mëndsh njerëzit. Jo ju që jeni këtu në terren, por përmes ekraneve…
Dozat e nervozizmit dhe humbja e durimit i lexoheshin edhe me të vetët, në transmetimet e ERTV. Një gjest spostimi i Erion Braçes në Lezhë për përparësinë e ecjes…
Ky acarim ndaj Erion Veliajt për përparësinë e fjalës.
“Po pusho o Erion pusho…”
Apo edhe ky shpërthim sërish ndaj Kryebashkiakun për një punë të bërë jo mirë.
Rama: Do lyesh shkallën, nesër ti vetë në 4.30 të mëngjesit
Natyrisht që këto sjellje të KM bënin lajm, më shumë se gjestet balancuese që përpiqej të prodhonte, si kjo foto me batutë për Erion Braçen (ha or ti ha se po hyn në ujë).
A po kërkonte vallë Edi Rama protagonizëm absolut në informimin e publikut? Në fakt gara ishte e pabarabartë dhe Rama synonte përparësi në një fushë, që nuk është detyrë e qeverisë. Përballë mediave të shumta, sa në terren e në studio TV, KM e kishte marrë barrën krejt i vetëm, e shfaqej po vetë kudo, veç me ERTV e tij.
Zhgënjimi se nuk po i njiheshin meritat e çoi në vetëlavdërim, si në këtë komunikim me mediat në Durrës.
Rama: Unë i solla ekspertet e huaj për tw kërkuar trupa, unë i mora nw tel miqtë e mi dhe sollën ekspertet….
Nga ana tjetër, informacionet më të rëndësishme për nivelin e kontributeve nga vende të NATO-s, të cilat i sensibilizoi personalisht në samitin e Londrës, apo ato në nivel të BE, çuditërisht zgjedh t’i japë si biseda kafeneje përmes ERTV, me të vetmin person që duket komod, drejtorin e tij të komunikimit Endri Fuga.
Bëri bashkë aktivistë e ekspertë të njohur, për të iniciuar idenë e tij të rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit.
I sigurt se ata që kishin impakt të lartë publik, i kishte ulur në tryezën e vet, iu rikthye anatemimit të mediave, të cilat po e transmetonin live, atë që po prodhonte me ERTV-në e tij.
Marin Mema: Media nuk është macja e zezë. Po e kërkojmë fajin tek media. Media nuk është skandaloze, apo të etiketohet me përkufizime të tjera që më duken absurde, siç do sektor tjetër ka problem, por nuk do të thotë që ta anatemojmë. Nuk është për të sjellë zërin e qeverisë, por zërin e qytetarëve.
Edi Rama: .. media është skandaloze… kriminale madje …Kanë ikur njerëz me mijëra nga Tirana, Durrësi… unë e kam mbyll punën me ekranet, por marr raportet, dhe njerëzit thonë unë po iki se ka ardhur fundi i botës.
Pavarësisht se ishte e dukshme, media nuk u mor posaçërisht me kapacitetin reagues e përgatitor të vendit, por ishte i fortë kontrasti me modelin që erdhi nga Kosova. Kryeministri në largim Haradinaj tregoi se si kishte funksionuar shteti 11 vjeçar, sapo kishte mësuar për tërmetin në Shqipëri.
Ministrja e Mbrojtjes, mbeti zëri informues zyrtar për situatën e emergjencës së vendit, në 5 ditët e para pas tërmetit efekt…Vetëm në ditën e 6 u aktivizua qendra operacionale me drejtues ministrin e Bujqësisë Bledi Çuçi e zv ministren e brendshme Rovena Voda, që nisën informimin publik 2 herë në ditë. Edhe kur pranonte denoncimet me figurë të mediave, Edi Rama zgjidhte sërish anatemimin e tyre.
Rama: Po, ka pasur raste abuzimi me ndihmat, se ato që kanë dalë në televizor nuk kanë qenë me aktorë filmash, por ato abuzime – po ju shtoj unë edhe nja 30 të tjera që nuk kanë dalë në televizor, – e dini sa janë në raport me ndihmat që kanë ardhur? As 1% e tyre. ….Një dekurajim, mërzi, një çorodi tek njerëzit, që në televizor kërkonin të shikonin çfarë po ndodh në vendin e tyre, çfarë po ndodh me familjet e tyre, me lagjen e tyre, me të afërmit e të njohurit e tyre dhe shikonin hajdutë xhepash. Sikur ishin hajdutët e xhepave që kishin marrë situatën e territorin në kontroll e jo 5000 njerëz; policë, ushtarë, zjarrfikës, mjekë, infermierë, njerëz të shtetit. Pastaj edhe klithmat për “nuk paska doreza”, “kapele”, “çizme” e histori qensh.
Nuk është hera e parë që Rama në vitin e 7 si Kryeminister, shënjestron mediat. Përpjekjes së dështuar në 2015 për një ligj anti-shpifje, i është rikthyer prej gati dy vjetësh. Ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria, me fokus mediat online, kane nisur të diskutohen në komisionin e ligjeve, pavarësisht kundërshtive të organizatave të medias, e rezervave ndërkombëtare. A po ndërton Rama me anatemimin përgjithësues, një justifikim për ato ndryshime ligjore? E konfirmoi vetë në mbledhjen e të premtes.
Nga ana tjetër, askush nuk e ndal KM, edhe kur përdor një gjuhë të tillë publikisht, në median e tij ERTV.
Duhet pranuar se sensibilizimi ndërkombëtar i dha rezultatet e veta edhe pse ende nuk ka një shifër a faturë për dëmet e 26 nëntorit, BE akordoi si fillim 15 milionë euro e Euro-Komisioneri për emergjencat ishte në Shqipëri për të parë situatën për financimet e mëvonshme.
Pas Samitit të NATO-s në Londër, Presidenti Francez bëri të ditur se do organizonte një konferencë donatorësh në Paris, e të njëjtën gjë do bëjë edhe presidenti Erdogan me një konferencë investitorësh nga vendet islame në vendin e tij.
Tashmë Kryeministri duket i sigurt në mundësinë e financimit të asaj ç’ka ka ideuar për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti. Ia ka dalë të fitojë në luftën me kohën për të arritur zgjidhjen që synonte, e që pa dyshim që do i shërbejë për të kërkuar një mandat të ardhshëm.
Pas toneve kërcënuese për ndërtuesit, të cilëve u kërkoi të merrnin përsipër godinat e tyre të dëmtuara, e jep vetë edhe informacionin nga hetimet për Durrësin.
Vangjush Dako, ish Kryebashkiaku i Durrësit që ka firmosur për 12 vjet leje ndërtimi, u pa t’i fliste Kryeministrit Rama për dokumente, e të merrte edhe pohimin e tij, teksa po ndaheshin, mbrëmjen e të enjtes në Durrës.
Prej të enjtes së 5 dhjetorit, vendi ka një prokuror të ri të përgjithshëm, Olsian Çelën i zgjedhur me 101 vota pro në kuvend. Që në marrje të detyrës identifikoi si prioritet hetimet mbi tërmetin.
Edi Rama e kapërceu fazën e parë delikate të pas tërmetit të 26 nëntorit. U impenjua si kurrë më parë për të mbajtur fort nën kontroll perceptimin publik. Për ta arritur sulmoi mediat, i mbajti ditë pas dite nën presion duke i kompleksuar e duke shtruar rrugën për një mandat të tretë.
Nuk pati asnjë shqetësim nga opozita, e cila zgjodhi strategjinë e vetëpërmbajtjes, e të spostimit në hije edhe mediatikisht, në respekt të situatës pas tërmetit të 26 Nëntorit./abcnews.al