Drejtuesit e Inter po punojnë për të përforcuar kontingjentin e Antonio Contes, por edhe për të rinovuar me disa nga yjet e ekipit. Forma e mirë dhe golat e shumtë të shënuar këtë sezon kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane për Lautaro Martinez.
Argjentinasi ka një kontratë deri në vitin 2023 me klubin zikaltër dhe klauzola e largimit të tij është 111 milionë euro. Një shifër e tillë nuk është aspak problem për klubet e mëdha dhe diçka e tillë shtyn Interin t’i ofrojë rinovimin sulmuesit.
Agjentët e 22-vjeçarit pritet të zbarkojnë në Milano sipas mediave italiane, teksa drejtuesit kanë gjithçka gati. Lautaros do t’i shkojë rroga në 3.5 milionë euro në sezon (dyfishohet) dhe kontrata e re do të zgjasë deri në vitin 2025. Pika kyçe është klauzola e largimit.
Kryesuesit e Serie A duan ta heqin fare, por nuk përjashtohet një dyfishim i saj. Palët janë afër arritjes së marrëveshjes dhe së shpejti mund të vijë akordi zyrtar, një lajm që po e presin me padurim tifozët e Interit. /abcnews.al