Kryeministri Edi Rama thotë se vetëm PS mund ta çojë Shqipërinë drejt BE. Në komunikimin live me ndjekësit në Facebook, kreu i qeverisë tha se duron “lloj lloj kukumjaçkash, salamandrash e insektesh”, ndërsa shtoi se marrëdhëniet e vendit me Evropën nuk kanë qenë më të mira se kurrë më parë.
“Kini parasysh me futjen në BE, pasaporta e secilit nuk është më thjesht Republika e Shqipërisë me të drejtë lëvizje, por sipër aty do të shkruhet ‘Bashkimi Europian’, dhe poshtë republika e Shqipërisë. She me atë pasaportë, çdo shqiptar ka të njëjtat të drejta si çdo zotërues brenda BE. Që dmth jo vetëm të lëvizë, por të qëndrojë, të marrë shtëpi, të marrë shërbime shëndetësore nëse larg qoftë do t’i duhet të shkojë në spital.
Kapërcim epokal që ia detyrojmë fëmijëve tanë, nuk ka lidhje fare e lagu se lagu bufi bishtin këtu në Shqipëri, jo po e majta, jo po e djathta. Për sa kohë nuk jemi aty brenda, ka shumë rëndësi se kush qeveris sot këtu, dhe këtë e dinë dhe ata që nuk duan ta pranojnë, se këtë raport që kemi vendosur unë dhe PS dhe Europën dhe botën nuk e kemi pasur kurrë, dhe unë e di si bëhet kjo punë dhe si mbyllet ky proces! Askush tjetër nuk e bën dot. Dhe ndaj jam këtu akoma dhe duroj lloj-lloj kukumjaçkash, salamandrash, e insektesh”, tha Rama./abcnews.al

