Në foltoren e parë për të justifikuar rezultatin e primareve, Berisha u vendos me shpatulla pas murit nga baza e demokratëve në Durrës.
Një demokrat i thjeshtë nga Sukthi, kritikoi procesin, duke i zbuluar se me urdhër të drejtuesit të tij politik, Oerd Bylykbashi, demokratë me karta anëtarësie nuk u lejuan të votojnë.
‘’Nuk bie dakord me drejtuesin, që primaret ishin të shkëlqyera. Demokratë nuk u lejuan të votojnëme karta anëtarësie. U thoshte komisionerja, kështu na ka thënë Berisha.’’
Berisha, i transmetoi fjalët që ia komunikonte në vesh vetë Bylykbashi.
“Nuk besoj që Oerdi ka njohur personin e ka patur inate me të e mos e lejojë. Porosia ka qenë e prerë. Unë jam Sali Berisha, kam votuar me pasaportë për të respektuar atë kod. Kartën e identitetit s’mund ta heqim nga kriteret”.
Demokrati pyeti po ashtu Berishën, se si ka mundësi, përfaqësuesja e bazës më e votuar në 2021 dhe në këto primare, Manjola Luku, nuk zgjidhet deputete.
Për 2021, Berisha ia hodhi fajin sistemit zgjedhor, por për këtë radhe nuk i dha përgjigje.
“Sa i përket Manjolës, kemi respekt si në zonë, në PD në Durrës e Tiranë. Ka qenë një sistem i atillë, por demokratët kanë bërë një vlerësim real”.
Ish-kreu i Forumit Rinor të Durrësit, Artion Bajramaj, i shprehu bindjen Berishës se arsyeja kryesore pse humb partia e tij, është mungesa e meritokracisë për demokratët.
“Mendoj se arsyeja kryesore pse humb PD është meritokracia. Ju lutem, merrni vendime të drejta, pa fraksione, pa ndërhyrje, pa ky më ka bërë nder personal ky s’më ka bërë”.
“Ky proces do përsoset, është më mirë se ti bëja listat unë në zyrë. Por dera duhet të jetë gjithmonë hapur për prurjet e reja. Fluksi I ri është i domosdoshëm”
Me një shprehje indiane, një tjetër demokrat, i kërkoi Berishës të mos harrojë barin që hëngrën nga Juri Kim, dhe gazin nga Lulzim Basha dhe grupi i Bardhit më 8 janar.
“Macja kur fle gjumë është luan, kur çohet nga gjumi, gjun nëpër gjiriza. Të lutem, barin dhe 8 janarin mos e harro”.
Berisha, pas një pauze, i tregoi se ka halle më të mëdha.
“Kemi një objektiv kryesor. Duhet ti përmbahemi, objektivit kryesor, duhet të bëjmë një koalicion sa më të gjerë.”/abcnews.al

