Opozita greke ka paraqitur një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kyriakos Mitsotakis për tragjedinë hekurudhorë të ndodhur dy vite më parë, ku humbën jetën dhjetëra persona, mes tyre edhe shqiptarë.
Gazetari Edmond Guri, në një lidhje live për “Ora e fundit” me Emilian Islamin, u shpreh se opozita e akuzon qeverinë se nuk ka bërë aq sa duhet për të zbardhur këtë ngjarje. Megjithatë, sipas gazetarit Guri, është e vështirë rrëzimi i qeverisë së Mitsotakis për shkak se ai ka shumicën në parlament.
“Opozita ka dorëzuar një mocion që është pranuar sot dhe vetë Mitsokakis. E ka pranuar këtë sfidë politike duke filluar debatin politik që nga ora 7 e pasdites dhe varion dhe në këto momente që flasim. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën me temë kryesore aksidentin tragjik të Tempit, që politikisht Mitsotakis mundohet të mbrohet me mënyrën e saj por në këtë kontekst ka në kundërshti popullin që arrin në një përqindje të lartë. Njerëzit janë të bindur se qeveria nuk ka bërë aq sa duhet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe ka tentuar që ta fshehë dhe pengojë hetimet.”, tha Guri.
Më tej ai shtoi se edhe zhgënjimi te populli është i madh.
“Zhgënjimi është i madh dhe nuk bëhet fjalë thjesht për votues, por për qytetarë. Ka intensitet dhe vazhdimësi se qeveria e Mitsotakis vazhdon ende me një egoizëm dhe politikbërje që nuk tregon pendesë në qasjen e tyre politike por vazhdon të njëjtin orientim si më herët”, shtoi gazetari.