Sezonin e kaluar e bënë shumë herë. Leverkuseni u quajt “Neverlusen”, pra ekipi që nuk humbiste kurrë, dhe sidomos për karakterin për të arritur fitoren apo shmangur humbjen në sekondat e fundit.
Kampionët e Gjermanisë e realizuan edhe një herë këtë dramë, në fitoren 3-2 ndaj Këlnit në çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë. Skuadra e kategorisë së dytë kryesoi deri në 2-0 me golat e shënuar nga amerikani Demiën Dauns në fund të pjesës së parë dhe Linton Maina 9 minuta pasi kishte nisur e dyta.
Gjithsesi, të mbiquajturit “aspirina” këto kohë janë pikërisht siç ishin vjet kur fituan titullin e Kupën, dhe arritën finalen e Ligës së Europës, duke pësuar vetëm një humbje gjatë gjithë sezonin.
Heroi për të besuarit e trajnerit Shabi Alonso ishte sulmuesi çek, Patrik Shik, që shkurtoi diferencën në 61’, dhe pastaj arriti barazimin dramatik.
Ishte minuta e gjashtë shtesë kur Shik shpëtoi të vetët për 2-2. Viktor Bonifejs, pastaj u bë “zëvendësuesi I mrekullive”, pasi erdhi nga stoli dhe I dha fitoren 3-2 Leverkusenit në 8’ pasi kishin nisur shtesat.
Kampionët patën epërsi me 79 për qind mbajtje topi, e 23 gjuajtje ndaj 5 të miqve. Granit Xhaka ishte sërish ndër më të mirët në fushë, dhe trofembajtësit arritën në gjysmëfinale, ku gjithashtu është kualifikuar edhe Shtutgarti.
Çerekfinalet e tjera, në 25 e 26 shkurt, janë Arminia Bilefeld-Verder dhe Lajpcig-Volfsburg. Të mos harrojmë se më herët, Leverkuseni eliminoi Bajernin madje duke e mundur në Mynih./abcnews.al

