TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se reforma e pensioneve e ndërmarrë nga qeveria socialiste ne 2014 mundësoi pensionin më të larta, duke i llogaritur ato mbi bazën e kontributeve.
Ai paralajmëroi ndërhyrje në skemë, pa prekur themelin e saj, duke theksuar se pensionet janë një plagë e vjetër e lënë nga opozita që sot ofron vetëm premtime imagjinare. Edhe Banka Botërore vlerësoi skemën e pensioneve të pas 2014.
Ekspertja për ekonominë, Romina Radonshiqi, e ftuar në “Money Report” u shpreh se për të përballuar “faturën” e madhe që kanë pensionet, duhet të shtohet numri i kontribuesve.
Ajo theksoi se lufta kundër informalitetit do ishte hap pozitiv dhe do ndikonte në shtimin e fondeve të pensioneve.
“Dihet rritur numri i kontribuesve dhe lufta ndaj informalitet është një luftë, e cila do të ndikojë në rritjen e fondeve. Nëse kemi një deklarim real atëherë dhe vetë fondet e pensioneve do jenë më të larta”, tha Radonshiqi.
Ajo theksoi se një nga problemet është rritja e moshës mesatare të fuqisë punëtore si dhe ulja e lindshmërisë.
“Qeveria ka marrë konsulencë ndërkombëtare, për të ndërmarrë një reformë, e cila do jetë e suksesshme. Duhet ndërthurje në tregun e punës. Duhet rritur lindshmëria, kemi 10% më pak se 2022 dhe kjo tregon se kjo rrit moshën mesatare të fuqisë punëtore. Nuk është zgjidhje rritja e moshës së pensioneve”, theksoi ajo./abcnews.al

