Besnik Prenga erdhi këto ditë në Shqipëri për të vëzhguar disa lojtarë. Mirditori, i cili drejtoi Laçin sezonin e kaluar, mban rolin e shefit të skautëve të Lokomotivës së Zagrebit. Prenga ka ndikuar që një koloni e madhe shqiptarësh të krijohet te skuadra kroate dhe herë pas herë vjen në Shqipëri për të piketuar talentet e radhës.
Kësaj radhe erdhi bashkë me një përfaqësues të Lokomotivës dhe pak orë pas rënies së tërmetit kishin programuar rikthimin në Kroaci. Prenga rrëfen tmerrin e përjetuar në një prononcim për kroaten Sport News.
Vuajtje pafund, teksa pas kalimit të situatës së frikshme mori vesh një tjetër lajm tragjik. Një miku i tij i ngushtë kishte humbur jetën bashkë me gruan, vajzën dhe djalin e tij. Një familje e shuar dhe dhimbje e papërballushme për Besnik Prengën.
“Nuk dinim si të vepronim. Dhomat tona ishin në katin e tretë të hotelit dhe gjithçka po dridhej në mënyrë të tmerrshme. Ndërtesa valëvitej mes një zhurme të fortë dhe dëgjoheshin vetëm ulërimat e njerëzve.
Kjo situatë zgjati rreth 1 minutë, por na u duk sa një jetë. Horror! U tronditëm shumë, teksa ranë edhe disa tërmete më të vogla më pas. Sapo u qetësuam disi, vendosëm të dilnim jashtë. Dolëm me vrap jashtë hotelit, u ndalëm përpara ndërtesës dhe nuk u kthyem më brenda.
Rrugët ishin mbushur me gra dhe fëmijë që ulërinin. Kishte njerëz që përpiqeshin t’i qetësonin, por paniku dhe frika ishin më të mëdha se çdo gjë tjetër. Disa ishin të veshur, e të tjerë gjysmë të zhveshur. Njerëzit ishin larguar nga shtëpitë e tyre në pizhame dhe të gjithë dolën në rrugë.
Rrugët e qytetit ishin mbush plot si në mesditë, ndërkohë që ishte ora 4 e mëngjesit. Uh çfarë ndjenje e tmerrshme! Ndihesh kaq i pafuqishëm në ato momente dhe është e vështirë t’i përshkruash me fjalë ato momente frike dhe paniku. Zoti na ruajt dhe mos e provoftë askush atë ndjesi, ishte e frikshme“, rrëfen Besnik Prenga.
Tmerri nuk kishte mbaruar për 50-vjeçarin. Pasi mbërriti në Tiranë, ai tentoi të telefononte mikun e tij në Durrës, por askush nuk përgjigjej në anën tjetër të telefonit. Më pas lajmi i kobshëm: miku i tij kishte humbur jetën nën rrënoja bashke me gruan, djalin dhe vajzën.
“Jam mërzitur aq shumë sa më duket sikur më kanë shkulur një pjesë të trupit“, thekson Besnik Prenga, i cili do të rikthehet të mërkurën në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të mikut të tij dhe familjes që u shua e gjitha. /abcnews.al