Pasi u akuzua nga presidenti brazilian, përgjigjet Leonardo DiCaprio

schedule10:06 - 2 Dhjetor, 2019

schedule 10:06 - 2 Dhjetor, 2019

 Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ia vuri fajin Leonardo DiCaprio-s, aktor dhe aktivist ambientalist, për zjarret që pushtuan pyjet e Amazonës.

Në një transmetim live online,Bolsonaro tha se organizatat jo-qeveritare kanë kontribuuar në nisjen e zjarreve që shkaktuan dëme të jashtëzakonshme në pyjet e Amazonës në gusht të këtij viti.

“Njerëzit e OJQ-ve, çfarë bënë ata? Çfarë është më e thjeshtë? T’i vësh flakën,” tha ai, pa ofruar asnjë fare prove.

Ai vijoi: “Bëj një foto, një video, dërgoja një OJQ-je, OJQ-ja e shpërndan, nis një fushatë kundër Brazilit, flet me Leonardo DiCaprio-n dhe Leonardo DiCaprio dhuron 500 mijë dollarë për këtë OJQ. Një pjesë e kësaj shkon për njerëzit që i vunë flakën pyllit apo jo?

“Leonardo DiCaprio, po i jep dorë zjarrvënësve të Amazonës. Këtë s’mund ta lejojmë,” tha Bolsonaro.

Presidenti brazilian u mëshoi këtyre akuzave, teksa u fliste edhe mbështetësve jashtë Pallatit Presidencial në Brasilia.

“Leonardo DiCaprio është njeri i mirë, apo jo? Njeri i mirë që dhuron para për t’i vënë flakën Amazonës,” tha ai.

DiCaprio iu përgjigj këtyre akuzave  përmes një postimi në Instagram. Ai hodhi poshtë aludimet e Bolsonaro-s dhe vijoi të mbështeste njerëzit që po punojnë për të shpëtuar pyllin.

“E ardhmja e këtyre ekosistemeve të pazëvendësueshme është në rrezik dhe me krenari them se mbështes grupet që i mbrojnë,” shkroi ai. “Edhe pse meritonin të mbështeteshin, ne nuk financuam asnjë nga organizatat e përmendura.”

Kjo s’është hera e parë që Bolsonaro bën me faj OJQ-të për zjarret e Amazonës. Në gusht, kur gjendja ishte në nivel kritik, ai akuzoi grupet mjedisore për zjarrvënie.

Akuzat u hodhën poshtë nga Amnesty International, që qartësoi se Bolsonaro dhe politikat e tij u kanë hapur rrugë kompanive për të prerë pyjet dhe për të pastruar tokën./abcnews.al