Rikthehet “normaliteti” në Superligën shqiptare të futbollit.
Një ditë pasi Egnatia doli në vend të parë pas fitores me Tiranën, erdhi përgjigja e tre rivalëve të tjerë për titull.
Partizani, Dinamo dhe Vllaznia fituan dhe u ngjitën sërish në krye me pikë të barabarta.
Të kuqtë triumfuan 2-0 në Durrës ndaj Teutës vendase.
Ndeshja në stadiumin “Niko Dovana” u vendos pas pushimit, kur ekipi I trajnerit Veselinoviç shënoi në minutën e parë të pjesës së dytë me anë të Andi Janjevës dhe nga Dmitri Podstrelov në 77’.
Të kuqtë patën dy dëmtime të tjera, dhe tekniku serb shqetësohet se nuk ka organikën e mjaftueshme për të luftuar për titull.
Skuadra shkodrane, ndërkaq, arriti një fitore të thellë në Korçë. Skënderbeu u mund 4-0 dhe heroi kryesor I sfidës ishte sulmuesi Bekim Balaj që realizoi tre nga golat.
Ish-ylli I kombëtares ia doli në 25’ (p), 61’, 90’+1, ndërsa një gol e shënoi Esat Mala 75’.
Në ndeshjen e fundit të javës së 21-të, blutë kryeqytetas të trajnerit Ilir Daja morën një sukses të rëndësishëm në “Elbasan Arenë” me rezultatin 3-1.
Lulaj shkaktoi autogol në 41’ për avantazhin e miqve, pastaj Baton Zabërgja shtoi të dytin.
Cague shkurtoi diferencën, por vetëm një minutë më vonë, në 65’ Mandela fiksoi shifrat 3-1.
Partizani, Dinamo dhe Vllaznia kryesojnë me nga 37 pikë, ndërsa Egnatia është në vend të katërt me 36.

