Broja humb Kombëtaren/ Sulmuesi kuqezi pritet të mungojë 10-12 javë

schedule12:02 - 16 Janar, 2025

schedule 12:02 - 16 Janar, 2025

Kur të vjen e keqja, hapi derën. E kemi thënë edhe më parë që Armando Broja është kthyer në lojtarin më të pafat ndër legjionarët shqiptarë, të paktën për aq kohë sa mbahen mend, dhe kjo mori një tjetër konfirmim.

Sulmuesi kuqezi ka marrë një goditje të rëndë për vazhdimin e karrierës, a thua se nuk I mjaftonin ato probleme që provoi në kurriz këta dy vjet e pak.

Vizitat përfundimtare mjekësore tek Evertoni nxorrën të vërtetën se 23-vjeçari ka dëmtim në ligamentet e kaviljes, dhe se do të qendrojë një kohë aspak të vogël pa luajtur.

Trajneri I ri I bluve liverpulas, një njeri që ka bërë histori në “Gudison Park”, Dejvid Mojes, deklaroi se mendon që Brojës do t’i duhen 10 deri në 12 javë për t’u riaftësuar.

Kjo do të thotë gati 3 muaj pa luajtur, përveçse periudhës që do t’i duhet për të ardhur në formë dhe për të zënë vend në ekip.

Mojes shtoi se ekziston mundësia që futbollisti të kthehet tek Çelsi, sepse huazimi mbyllet në fund të majit, e ndoshta Evertoni do të duhet të shohë ndonjë mundësi tjetër për sulmin këto ditë të transferimeve në janar.

Lajmi është tepër I keq për vetë Brojën, por edhe për kombëtaren shqiptare, tifozët dhe trajnerin Silvinjo. Besohet se ylli kuqezi rrezikon shumë të mos jetë në dy ndeshjet e para eliminatore të Kupës së Botës, në 21 mars në “Uembli” ndaj Anglisë, dhe në 24 në “Arenën Kombëtare” kundër Andorrës. Sulmuesi 23-vjeçar u dëmtua në ndeshjen e Kupës së Anglisë ndaj Peterborout në “Gudison Park” në 9 janar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!