Indonezi/ Evakuohen me urgjencë 3000 banorë nga frika e shpërthimit të vullkanit

schedule10:18 - 16 Janar, 2025

schedule 10:18 - 16 Janar, 2025

Autoritetet indoneziane filluan evakuimin e rreth 3,000 banorëve nga zonat përreth vullkanit të malit Ibu në ishullin Halmahera të Indonezisë (në lindje) pasi ai rihyri në një fazë të aktivitetit shpërthyes këtë javë, duke nxjerrë një shtëllungë të trashë hiri vullkanik që arriti një lartësi deri në katër kilometra.

Vullkani shpërtheu për rreth dy minuta të mërkurën në orën 07:11 (me orën lokale), tha Shërbimi Vullkanologjik i vendit, duke bërë që autoritetet të rrisin nivelin e alarmit në maksimum në shkallën me katër pikë.

Evakuimi i nxituar i banorëve filloi mbrëmë për rreth 3,000 banorë të pesë fshatrave përreth kraterit në ishull, në rajonin e Molukas, të cilët konsiderohen të jenë më të rrezikuarit, sipas Abdul Muhari, një zëdhënës për menaxhimin e fatkeqësive natyrore të arkipelagut.

Autoritetet janë ende duke shqyrtuar nëse do të urdhërojnë evakuimin e 10,000 banorëve të tjerë të zonave përreth vullkanit, megjithatë situata duket të jetë mjaft “stabile”, sipas tij.

Mali Ibu është një nga vullkanet më aktivë në Indonezi, vitin e kaluar ka pasur më shumë se 21,000 shpërthime në kraterin e tij pas një serie tërmetesh. Shpërthimi i djeshëm ishte i 5-ti që nga fillimi i vitit.

Indonezia, një arkipelag mbi të ashtuquajturën unazë zjarri në Oqeanin Paqësor, ku kryqëzohen pllakat tektonike dhe aktiviteti sizmik dhe vullkanik është veçanërisht intensiv, numëron 127 vullkane aktive./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!