Drejtuesit e komuniteteve fetare në vend luten për shëndetin e kryepeshkopit Anastas, i cili prej disa ditësh ndodhet në gjendje kritike, në një spital në Athinë.
Përmes një deklarate zyrtare, bordi i Presidencës së këshillit ndërfetar të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta nga kisha katolike, kreu i komunitetit mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, kreu i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Pastor Ergest Biti luten për shërim të shpejtë të kryepeshkopit, ndërsa vlerësojnë kontributin e Anastas Janullatos për kishën ortodokse dhe rolin e harmonisë fetare në vend.
“Ne lutemi me besim dhe përulësi, që Zoti t’i dhurojë shëndet të plotë dhe forcë për të vazhduar misionin e tij për paqen, harmoninë dhe dialogun ndërfetar. Kontributi dhe inspirimi i tij për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërfetar janë një mësim dhe udhërrëfyes për të gjithë ne.
O Zot, ne të lutemi që ta mbështesësh me çdo bekim dhe t’i dhurosh atij shumë vite të tjera shërbimi të bekuar, plot paqe dhe forcë shpirtërore, duke udhëhequr kështu një shembull të paqes dhe unitetit në shoqërinë tonë. “
Mesazhe lutje për shërim të Anastas Janullatos kanë përcjellë edhe krerët e kishave ortodokse në mbarë botën, së fundmi kryepeshkopi i Amerikës dhe Rusisë.
Kryepeshkopi Anastas vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, i intubuar në repartin e shërbimit intensiv në spitalin Evangjelizmos në Athinë.
Ditën e premte ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale urgjente për shkak të një hemoragjie të brendshme. Mjekët kanë vlerësuar se 48 orët pas operacionit janë kritike.
Kryepeshkopi Anastas ndodhet në situatë të vështirë shëndetësore prej fundit në dhjetorit. Kleriku 95 vjecar u shtrua fillimisht me shenja viroze në një spital privat në Tiranë. Tre ditë pas qëndrimit aty u dërgua në një në Athinë, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm.