Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar padi për Gazment Bardhi, pasi SPAK deklaroi se i vëllai, Olsi Rama nuk ka lidhje me dosjen “Xibraka”.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se drejtësia foli.
“Por tani që u krye hetimi i plotë dhe doli cullak krijimi i rrethanave të kallzimit të rremë, avokatët do të punojnë edhe në rrafshin e kësaj vepre penale për një proces gjyqësor siç e meriton autori i Babales së Dytë. Po e dini çfarë bëjnë këta kur i thërret në gjyq, se si sillen në gjyq këto gjallesa të kota sa zhurma e tyre? Sëmuren, çojnë raporte, gënjejnë sikur janë jashtë shtetit apo sikur janë në zonën elektorale, nuk i çojnë avokatët që të shtyhet sa më larg dita e gjykimit, çojnë mesazhe pajtimi, “se kështu e ka politika”, me shpresën e rraskapitur se do të plasë më në fund revolucioni i syve të tyre të verbër dhe deti i jashtënxjerrjeve të tyre do të bëhet kos delesh qëndrestare…
E pastaj, në fund fare, kur pilafi s’mban më ujë e përmbytet, ngrihen përpara gjykatësit, të njomur ndënë vete, por kryet lart mbi supe dhe duke parë nga tavani thonë “kështu më tha partia, kështu thashë edhe unë, se i besova partisë”. E di mirë që nuk janë një e dy, po janë më shumë njerëzit e zakonshëm, të cilëve fatkeqësisht u ka ngjitur në tru e gjithë ajo llucë e ndyrë dhe që edhe tani që degjojnë nuk besojnë asgjë nga këto që po them”, theksoi ai./abcnews.al