Protesta në Sllovaki kundër raporteve më të ngushta me Rusinë

schedule21:53 - 10 Janar, 2025

schedule 21:53 - 10 Janar, 2025

Protestuesit u mblodhën në Bratisllavë dhe qytete të tjera të Sllovakisë më 10 janar për të protestuar kundër përpjekjeve të Qeverisë për të kërkuar raporte më të ngushta me Rusinë, pavarësisht se Moska ka nisur më 2022 pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Kryeministri nacionalist sllovak, Robert Fico, është një nga aleatët e pakët që Kremlini ka brenda Bashkimit Evropian, i cili ka afruar Bratisllavën me Moskën që kur është rikthyer në pushtet më 2023.

Ai së fundi ka udhëtuar për në Moskë për të siguruar furnizime me gaz për konsum në shtetin e tij, pasi Ukraina vendosi që të ndalte rrjedhën e gazit rus përmes territorit të saj për në Evropë.

Mijëra protestuan në qendër të Bratisllavës duke brohoritur “Ne jemi Evropë”, “Turpërohemi nga Fico” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Sllovakia”.

Nisma për Paqe në Ukrainë shkroi në Facebook se ka organizuar tubimet “Sllovakia është Evropë” për të treguar se Sllovakia “nuk është Rusi, por një shtet sovran e demokratik”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!