Situata nga gripi i shpendëve në vend është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm. Ministrja e Bujqësisë thotë se janë identifikuar 4 vatra në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe në Lagunën e Karavastasë.
Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë për izolimin e infeksionit dhe parandalimin e përhapjes së tij.
Duke qenë se dy prej rasteve në vatrat aktuale pozitive janë të pranishëm në specie të shpendëve të egër, ministria e Bujqësisë ka ftuar fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me qëllim raportimin në kohë të çdo dyshimi.
“Që prej konfirmimit të rastit të parë është në fuqi dhe mblidhet në rend ditor Qendra Kombëtare e Krizës për sëmundjen e Influencës Aviare me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendëshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik për koordinimin e veprimeve dhe marrjen e informacionit mbi masat e marra nga Qendra Rajonale të Krizës, e cila ka identifikuar Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes (3 km) dhe mbikqyrjes (10 km) për tre vatrat në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe asaj të konfirmuar ditën e sotme 09.01.2025 në Lagunën e Karavastasë.
Prej rastit të parë të konfirmuar Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura. është bashkëpunuar me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për monitorimin dhe testimin e personave të kontaktit, teste të cilat deri më tani kanë rezultuar negative, me Njësitë e vetëqeverisjes vendore në Bashkitë e prekura, si dhe me Policinë e Shtetit për zbatimin e Urdhrave të Ministrit të Bujqësisë në fuqi për marrjen e masave parandaluese të përhapjes së virusit të Influencës Aviare nëpërmjet ndalimit të lëvizjes së shpendëve të gjallë jashtë fermave, të ndodhura në Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikqyrjes.”, thuhet në reagimin e ministrisë./abcnews.al