Zëvendës-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jon Finer tha se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet një shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara.
Ai u ndal veçanërisht te Kosova dhe Serbia. Situatën në Kosovë ai e cilësoi si “në tehun e thikës”.
Finer bëri edhe njëherë të qartë qëndrimin amerikan se Kosova duhet të jetë sovrane, por në të njëjtën kohë të respektojë edhe komunutetet pakicë që ekzistojnë brenda saj.
Zyrtari amerikan shprehu shqetësim edhe për situatën në Bosnjë. Ai tha se SHBA sheh me vëmendje mundësinë për ndarjen e Boznës, ku të paktën një nga udhëheqësit, konkretisht Milorad Dodik, me retorikën e tij po ndjek një agjendë që bën thirrje për shpërbërjen e shtetit.
Shtetet e Bashkuara, tha Finer, e kundërshtojnë fuqishëm diçka të tillë.
I ftuar për të diskutuar çështjet e ndryshme globale në institutin ndërkombëtar Chatham House, me seli në Londër, Finer u pyet edhe për ndikimin rus dhe kinez në rajon.
Ai theksoi se Presidenti Biden mbetet i përkushtuar në çështjet e sigurisë së Ballkanit Perëndimor që nga koha kur kryesonte Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë./abcnews.al