Thotë se për të kinemaja është gjithcka, e konsideron si një stacion të cilin rrallë mund ta kapësh në jetë. Kështu shprehet në ‘Pas Mesnatë’ kineasti Skënder Jaçe në ABC Neës.
Fillimet e tij thotë se i ka në qytetin e Kucovës, ndërsa ende kujton me nostalgji filmin e parë, të parë në kinema.
“Kinemaja në vetvete është një ëndërr, mbyll qepallat dhe futesh në një botë tjetër për të gjykuar për veprën që shikon. Mesnata i shkon gjithmonë kinemasë, aty ajo e ka gjithmonë bukurinë. Fillimet e mia i kam patur në qytetin e Kuçovës, si një qytet strategjik për kohën, ishte gjithë industria e naftës, kishte një kinema të trashëguar nga shoqëritë italiane. Ishte në formën klasike, me llozhë, një plate të bukur, skenë modeste, por moderne për kohën dhe unë aktivizohesha me estradën e fëmijëve në ato vite dhe më lindi dëshira kur shihja filmat aty.
Dhe më jepej mundësia ta shihja një film 2-3 herë, kam qenë i vogël kur kam parë, për herë të parë Hamletin. Hymë brenda për të bërë prova, dhe kur dolëm i gjithë sheshi kryesor ishte i mbushur me dëborë. Kështu nisa ta doja shumë ekranin e madh, shpesh thoja si ka mundësi në një beze të bardhë të lëvizin kaq shumë njerëz, ccfarë e bën të magjishme këtë.” Rrëfen ai ndërsa një këshillë ka edhe për prindërit e sotëm.
“Ajo kohë ka patur një gjë të mirë, që në kopësht fëmija nisi të edukohej me filmin dhe ekranin e madh. Fëmijët në rresht me edukatoret shkonin për të parë filmin e radhës. Filmi i parë që kam parë në kopsht ka qenë ‘ Vida, vida, kacavida’, një film që e kam kërkuar pas shumë vitesh dhe e mora kopjen, është e Bashkimit Sovjetik. Është shumë e rëndësishme, se cfarë shohin fëmijët. Në një shkrim të para pak kohëve thoja ‘fëmijët duhet të rriten me ëndrra’.
Më vjen shumë keq sonte që fëmijët nuk e kanë tajmin e duhur në kohën e lirë. Unë nuk jam dakord që sot fëmija mban në dorë një cellular 1200-1300 euro dhe që është fare I hapur, sheh informacione edhe mjaft të gabuara për moshën dhe ky fëmijë rritet para kohe, pa marrë atë ‘mjaltin’ e fëmijërisë që është i domosdoshëm për të krijuar një të ardhme. Fëmija duhet të rritet me përralla, përralla të zhvillon fantazinë. Përralla është si një film që ti e krijon vetë në kokën tënde. Kinemaja është një art kolektiv, brenda një salle lind ngacmimi që ty të mbetet në memorie, dhe diskuton disa ngjarja nga ajo cfarë sheh dhe i diskuton më pas në të dalë. Sot prindërit nuk i marrin fëmijët, në mënyrë kolektive në kinema.” thotë Jaçe./abcnews.al