Greqia ka rritur buxhetin e saj të mbrojtjes në 6.1 miliardë euro në vitin 2025, nga 3.5 miliardë që kishte për vitin 2019. Duke folur për këtë në emisionin “360 gradë” të Artur Zhejit, kapiteni Artur Meçollari përmendi një detaj nga fjalimi i kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, që lidhet me vitin 2019.
Sipas tij, përmendja e vitit 2019 ka të bëjë me Turqinë, me të cilën Greqia ka pasur shpesh fërkime. Meçollari tha gjithashtu se Greqia synon të ndërtojë sistemin e mbrojtjes ajrore në të gjithë vendin.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi tha se Greqia po ndjek ‘strategjinë’ e Izraelit, për të mos qenë e dobët ushtarakisht në raport me kundërshtarin. Ndërkohë, eksperti i gjeopolitikës Kreshnik Osmani thotë se me këtë lëvizje, kërkon që të bëhet një lojtar me peshë specifike në rajon.
Pjesë nga diskutimi:
Artur Meçollari: Në fjalimin e Mitsotakis mund të gjejmë një vit që nuk koicidon rastësisht, 2019 se është viti i fillimit të krizës greko-turke në lidhje me Mesdheun lindor. Buxheti i Greqisë nga 2019 është rritur gradualisht por kjo rritja ketë vit është më e madhja se vitet e tjera. Rritja e kapaciteteve ushtarake nuk është përgatitje vetëm për luftë por edhe për paqe për arsye se kapacitetet ushtarake përbëjnë një deterencë për kundërshtarin. Kundërshtari duhet të mendohet dy tre herë më shumë nëse ke kapacitete të larta. Përmendja e vitit 2019 ka të bëjë me Turqinë sepse edhe pse sot shikojmë një lloj paqeje midis Turqisë dhe Greqisë, krizat turko greke janë të riciklueshme.
Ledion Krisafi: Ideja e Greqisë është e ngjashme me të njëjtën sjellje me Izraelin, që edhe Greqia të mos jetë e dobët ushtarakisht në këtë rast me kundërshtarin që është Turqia. Mendoj se prej dekadash ka qenë një politikë e tillë e Perëndimit për të pasur një balancë midis Turqisë dhe Greqisë. Para dy vitesh, ka bërë marrëveshje me francën për mbrojtjen. Kjo lidhet me kundërshtarin që është Turqia në këtë rast.
Kreshnik Osmani: Greqia po ndjek lojën që unë do të bëhem gati që të formatoj formatin e një lojtari rajonal me peshë specifike më të madhe seç ka pasur sot.
Dritan Goxhaj: I kërcënuar nuk ndihet askush. Nuk e shoh këtë për shkak të Turqisë. Rritja ushtarake në Greqi dhe Turqi ka ecur thuajse paralele. Morën F16 grekët, po ashtu edhe turqit. Ajo që Greqia po bën me rritjen, po e bën për konfigurimin e sigurisë që do të ndodhë pas luftës në Ukrainë. Mistotakis e ka shprehur se me ardhjen e Trump në pushtet, ka rrezik që Evropa të dalë më vete dhe Greqia, duke rritur kapacitetet e saj ushtarake, do të bëhet faktor në këtë komunitetin ushtarak si fuqi ushtarake më vete. Nuk ndihet e kërcënuar as Greqia dhe as Turqia./abcnews.al