Shkarkimi i Unai Emery nga Arsenali vazhdon të jetë debati kryesor në Angli. Tifozët mendojnë se spanjolli nuk e meritonte më pankinën, pas një seri rezultatesh negative. Por, jo të gjithë mendojnë kështu.
Ish-lojtari i Manchester United, Gary Neville, mendon se janë lojtarët dhe jo trajneri shkaku i rezultateve jo të mira. “Është gjithmonë e dhimbshme kur një trajner humbet punën e tij dhe sidomos kur nuk mbështetet dhe nga tifozët. Është mungesë respekt për punën e tij”, deklaron Neville për ‘Sky Sports’.
“Lojtarë si Mustafi, David Luiz apo dhe Papastathopoulos janë të pamenaxhueshëm. Në njërën ndeshje gabon njëri, në tjetrën tjetri. Është një rrëmujë e vërtetë. Ka qenë një rrëmuje, si goli i javës e kaluar, që ne e analizuam në ‘Monday Night Football’, ai ku David Luiz la mbrojtjen kundër Southampton. Kemi parë edhe Mustafin, Papastathopoulos gjithashtu. Le të jemi të qartë, këto mbrojtës nuk i drejton dot, disa nga ata”.
“Nuk e di se kush e ka përgjegjësinë për transferimin e tyre në 2-3 vitet e fundit, por ata kanë shumë ndryshim në lojë, një rënie të pashpjegueshme. Nëse unë do të isha në dhomat e zhveshjes tek Arsenali, do t’u jepja një shuplakë atyre”.
“Nuk ka asnjë mundësi që Emery i ka thënë David Luizit të dalë përpara 2 ose 3 herë, është një veprim i shëmtuar që e kemi parë dhe nga të tjerë tek Arsenali”, ka thënë mes të tjerash Neville. /abcnews.al