Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e kësaj të enjteje rregullat dhe lehtësirat që përfitojnë subjektet që kryejnë aktivitet nëpërmjet parnteritetit me shoqërinë shtetërore të prodhimit, demilitarizimit dhe tregtimit të armëve.
Në listën e kritereve përfshihet pasqyra financiare për të paktën 3 vitet e fundit, dokumentacioni financiare që provon kapacitetet për kryerjen e aktiviteteve në industrinë financiare, vërtetimin që subjekti i ka përmbushur të gjitha detyrimet sa i përket pagesave të taksave si dhe personat qe janë anëtare të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë apo pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, bandë e armatosur apo organizatë kriminale.
Njoftimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 27, të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
1.Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë kriteret që duhet të plotësojnë subjektet aplikuese pranë Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes, dokumentacionin dhe procedurat për të përfituar lehtësirat e parashikuara në pikën 2, të nenit 26, të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
2. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i;
a) kritereve të përgjithshme për të cilat kryhet vlerësimi i aplikimit nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes dhe procedurat e kryerjes së këtij vlerësimi;
b) dokumentacionit që duhet të plotësojnë subjektet aplikuese për përfitim të lehtësirave të parashikuara në pikën 2, të nenit 26, të ligjit nr.87/2024.
3. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Lehtësira të tjera”, të gjitha lehtësirat e parashikuara në pikën 2, të nenit 26, të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, për të cilat subjekti aplikues kërkon të kualifikohet;
b) “Subjekt aplikues”, çdo person juridik privat, vendas apo i huaj, të cilët do të kryejnë aktivitet në industrinë ushtarake dhe janë përzgjedhur nga ana e shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., për partneritet me të, sipas procedurave të përcaktuara në nenin 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
II. DOKUMENTACIONI SHOQËRUES PËR PËRFSHIRJE NË PROCEDURAT APLIKUESE PËR PËRFITIMIN E LEHTËSIRAVE
1. Çdo subjekt aplikues, i interesuar për të përfituar lehtësitë, paraqet pranë Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes kërkesën, sipas formularit standard të aplikimit të plotësuar dhe i firmosur nga përfaqësuesi ligjor i subjektit aplikues, së bashku me dokumentacionin shoqërues, si më poshtë vijon:
a) Kopjen e certifikatës së regjistrimit të subjektit në Qendrën Kombëtare të Biznesit;
b) Ekstraktin historik të biznesit dhe ekstraktin për të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues;
c) Dokumentacionin provues për miratimin nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë shtetërore “Kayo”, sh.a., për bashkëpunimin me personin juridik privat;
ç) Relacionin shpjegues për partneritetin me shoqërinë Kayo, sh.a., formën e bashkëpunimit, përshkrimin e aktiviteteve që do të realizohen, mundësitë e punësimit, përfshirjen e teknologjive, ndikimin mjedisor, analizën e impaktit ekonomik, social, mundësitë e përfitimit publik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes;
d) Kopjen e plotë të planit të biznesit afatshkurtër 3-vjecar;
dh) Pasqyrën financiare të audituar për të paktën 3 vitet e fundit në vendet e origjinës së subjekteve aplikuese ose, në rast të subjekteve të reja, deklaratën financiare të audituesit të miratuar;
e) Dokumentacionin financiar, që provon kapacitetet financiare për kryerjen e aktiviteteve në industrinë ushtarake;
ë) Dokumentacionin që përshkruan nevojat për infrastrukturë ndihmëse;
f) Listën e punonjësve të planifikuar për punësim dhe programin e trajnimit për kualifikimin e tyre;
g) Dokumentacionin që provon se subjekti nuk është në procedurë falimentimi ose likuidimi dhe se kapitalet dhe asetet nuk janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm;
gj) Vërtetimin se subjekti aplikues nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale;
h) Vërtetimin që subjekti i ka përmbushur të gjitha detyrimet në lidhje me pagesat e taksave, tatimeve, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
i) Vërtetimin e gjendjes gjyqësore ose një dokument të lëshuar nga një autoritet tjetër kompetent, që vërteton se personat që janë anëtarë të një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i tij, aksionar/ortak ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse apo kontrolluese brenda tij, të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje ose financim në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste, pastrim parash ose financim të terrorizmit, vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, gjenocid, torturë, vrasje, vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, armëmbajtje pa leje, tregti të paligjshme armësh, krime ushtarake, sulme kibernetike, organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit e shitjes së narkotikëve dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve, si dhe shfrytëzim i punës së të miturve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore;
j) Autorizimin me shkrim të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes për të kryer verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura me aplikimin për përfitimin nga lehtësirat.
2. Dokumentacioni i kërkuar paraqitet në formën dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës për personat juridikë të huaj. Për këta të fundit, kërkohet i legalizuar me vulë apostile ose noterizuar dhe përkthyer në shqip.
III. KRITERET E PËRGJITHSHME PËR TË CILAT KRYHET VLERËSIMI DHE PROCEDURAT E SHQYRTIMIT TË APLIKIMIT NGA AGJENCIA E INDUSTRISË SË MBROJTJES
1. Vlerësimi për kualifikimin e subjekteve aplikuese për përfitimin e lehtësirave mbështetet në kriteret e mëposhtme:
a) Verifikimi i saktësisë së dokumentacionit të subjektit aplikues;
b) Vlerësimi i impaktit të aktivitetit të subjektit në aspektin social, ekonomik dhe strategjik;
c) Vlera e shtuar që aktivitetet e subjektit do të prodhojnë në industrinë ushtarake dhe në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes;
ç) Ofrimi i teknologjive të reja.
2. Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, pas marrjes së formularit të aplikimit dhe dokumentacionit përkatës, kryen procedurën e vlerësimit të aplikimit. Vlerësimi konsiston me verifikimin e dokumentacionit të subjektit aplikues, lidhjen e lehtësirave me aktivitetin që subjekti do të kryejë në industrinë ushtarake, shqyrtimin e informacionit të administruar nga institucionet publike, me të cilat lidhen lehtësirat, si dhe me vlerësimin strategjik dhe impaktin në fushën e sigurisë e të mbrojtjes.
3. Në rast se Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes konstaton se dokumentacioni i subjektit aplikues është i paplotë ose i paqartë apo vlerëson se i duhen informacione shtesë, i kërkon me shkrim subjektit aplikues plotësimin e të gjitha dokumenteve dhe të dhënave të kërkuara brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga data e marrjes së dosjes. Subjekti duhet të plotësojë dokumentacionin brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga data e marrjes së njoftimit. Afati për plotësimin e dokumenteve dhe të dhënave të kërkuara pezullon afatin e përgjithshëm të shqyrtimit të aplikimit, parashikuar në pikën 5, të këtij kreu.
4. Agjencia koordinohet dhe shkëmben informacion me institucionet e tjera shtetërore, me të cilat lidhen lehtësitë e kërkuara, në funksion të kryerjes së vlerësimit të subjektit aplikues, përfshirë por pa u kufizuar me Qendrën Kombëtare të Biznesit, shoqërinë “KAYO”, sh.a., Qendrën e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ministrinë përgjegjëse për çështjet e ekonomisë, çështjet e sipërmarrjes, të infrastrukturës dhe energjisë, Ministrinë e Mbrojtjes.
5. Vlerësimi i aplikimeve, pas koordinimit me institucionet e tjera shtetërore, me të cilat lidhen lehtësitë, përfundon brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga paraqitja e dosjes së plotë dhe përmbyllet me hartimin e një raporti vlerësues nga ana e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes.
6. Raporti vlerësues i Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes ka në përmbajtje vlerësimin për kualifikimin e subjektit për lehtësirat, analizën, procedurat e kryera në lidhje me to, si edhe propozimet e rekomandimet përkatëse për miratim ose refuzim dhe, brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i vlerësimit, i dërgohen për shqyrtim dhe miratim Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
7. Komiteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë, pas shqyrtimit të raportit të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes, merr vendim në lidhje me miratimin apo refuzimin e lehtësirave për të cilat ka aplikuar subjekti, brenda një afati prej 30 (tridhjetë) ditësh pune nga data e dorëzimit të propozimit nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.
8. Vendimi i Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë i njoftohet i arsyetuar subjektit aplikues dhe institucioneve publike me të cilat lidhen lehtësirat e kërkuara. Ky njoftim realizohet nëpërmjet Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes.
IV DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në momentin e ngritjes së infrastrukturës së nevojshme për ofrimin e shërbimit on-line, kërkesat për aplikim do të paraqiten nëpërmjet shërbimit postar.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Qendra Kombëtare e Biznesit, shoqëria “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!