Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thotë se Shqipëria ka arritur stabilitet në turizëm. Në një intervistë për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, ministrja u shpreh se tashmë mund të flasim për industrinë e turizmit, pasi siç shtoi ajo, është e sotmja dhe do të jetë e ardhmja e vendit tonë.
Sipas saj, destinacionet turistike janë shtuar, kryesisht ata në zona të thella, që deri para disa viteve, ishin të ‘paarritshme’ për t’u vizituar nga turistët e huaj. Duke u ndalur te agroturizmi, një ndër sektorët më të preferuar, dhe të zhvilluar vitet e fundit, ministrja tha se përdor 84 përqind të produkteve lokale.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Unë kam qenë tek ata që isha spektik nëse suksesi i vitit të kaluar do të përsëritej sërish në këto përmasa, le të themi përmasa më të mëdha. Jeni të bindur se nuk është më një rastësi.
Mirela Kumbaro: Fakti që kemi stabilitet në turizëm që shkon në rritje, dhe vitin e kaluar, ka pasur skepticizëm nëse ishte rastësi por viti që sapo jemi duke mbyllur konfirmon se bëhet fjalë tashmë për një stabilitet dhe nuk është më një episod. Pak më parë përmendët, fjalën industri. Më vjen shumë mirë që e përmendët, ne i përkasim një brezi që s’e kishim fjalë në fjalor fjalën turizëm, për 10 vjet më përpara. Ndërkohë që gjithmonë, jemi në një situatë ku siç e përmendët po flasim por industri. Është një term komplet i ri kur flasim për këtë sektor, që nuk është thjesht një ndër sektorët. Kjo është ekonomia, e sotmja dhe e ardhmja e Shqipërisë. Dhe sektorë të tjerë të ekonomisë, si bujqësia, transporti, infrastruktura, janë tashmë të orientuara në mënyrë të tillë që t’i shërbejnë kësaj ekonomie. Ne e kemi kuptuar në politikë që në 2014, se kur filluam programin e rilindjes urbane, na akuzuan për fasada, makinazh, për ndërhyrje sipërfaqësore. Në fakt aty ka qenë motori i parë i ekonomisë që filloi të rilidhë gjendjen psikologjike të investitorëve privatë me destinacionet. Destinacioni është koncepti më kryesor i një ekonomie që lidhet me turizmin, sepse industria e turismit është ekonomia e kënaqësisë dhe e zbulimit të përvojave të reja që lidhet me destinacionet. Nëse kemi folur për pushime, më pas për ekonominë të turizmit, kemi dy vjet që flasim për industri. Kur rilindja urbane krijoi ofertë të re turistike, sepse ne filluam të lëviznim për të zbuluar destinacione nga ato që nuk kishim menduar se mund të shkonim për turizëm. Psh Belshi, kujt do t’i shkonte mendja se do të shkonte për turizëm në Belsh. Bulqiza është vend atipike. Natyra aty ka qenë. Në perceptimin kolektiv vende si Bulqiza kanë qenë vende industriale të minierës. Ndërkohë sot shkohet për atë që quhet turi i kullave. Po Klosi, në të njëjtën zonë, sot janë të arritshme në një orë. Për shkak të klimës, prodhohet verë. Ka vreshta dhe bujtina në Klos. Gjithë veriu dhe Alpet e Shqipërisë, sot kemi dyfishim të sipërfaqes së parqeve kombëtare, është një nga destinacionet më të preferuara. A e imagjinoni dot se kemi dy mijë shtretër në Theth. Imagjinoje Vermoshin, i bukur nëpër kartolina, nuk ta priste mendja që mund të shkojë në Lëpushë dhe Vermosh, kur sot e ke praktikisht plot gjatë gjithë sezonit.
Sokol Balla: Projekti i maleve ka lidhje me këtë?
Mirela Kumbaro: Paketa e maleve është një paketë ligjore, stimuluese, për të tërhequr një kategori investitorësh që për shkak të vështirësisë gjeografike, të mungesës së një vizioni, janë larguar nga ato vende. Ndërkohë një pjesë e emigracionit që janë trashëgimtarë të trojeve të tyre, që duan të kthehen. Thethi me të tillë është bërë, ka djem që nuk u larguan. Ka një pjesë që u larguan në emigracion, dhe paratë e kursyera por edhe dijen se si mund të bëhet turizëm në zonat rurale, tani kanë kthyer në ekonomi. E nëjta gjë ka ndodhur në Tepelenë, në malësitë e Vlorës, në Ersekë, Përmet. Disa destinacione që i dinim gjeografikisht në hartë por nuk mendonim ndonjëherë që të kalonin fundjavën në Përmet, në Libohovë. Gramshi ka disa bujtina që janë vërtetë fantastike, ku bëhet shëtitje me kalë, me motora, ka liqenet dhe tashmë fermerët i kanë shndërruar shtëpitë e tyre në bujtina. Në Bogë, nuk është më shumë se dy orë nga Tirana, ku kemi Kullën e Bajraktarit në 1200 m lartësi dhe 1700 është Buni i Bajraktarit. Atje është një rast tipik i një njeriu që quhet Gëzim, ka lindur atje por është larguar në vitet ‘90 dhe kthehet pas 25 vitesh e investon në një bujtinë me standart të lartë, pa frikë pesë yje, dhe pasi ka bërë fermën, sot ka krijuar një kalendar artistik. Të gjitha këto oferta që i kemi nisur dikur si rilindja urbane dhe më tej ajo rurale, sot janë ofertë turistike që ka krijuar zinxhir. Agroturizmi përdor 84 përqind produkte lokale. Një ndër arsyet pse është kaq e preferuar. Modelin e kemi marëë nga italianët e francëzet, por sot kemi afroturizmin shqiptar./abcnews.al