ISH-kryetari i bashkisë së Lezhës I dënuar të hënën me 2 vite e 8 muaj burg nuk është vënë në pranga ende nga policia. Prej ditës së hënë SPAK ka lëshuar urdhër arrestin ndaj Frrokajt në zbatim të vendimit të gjykatës, por policia nuk e ka gjetur në banesë dhe tashmë e ka shpallur në kërkim.
I sh-zyrtari i lartë dyshohet se po i fshihet drejtësisë duke u arratisur. Ndërsa sipas verifikimeve të prokurorisë së posaçme në sistemin TIMS, rezulton se Frrokaj ndodhet në territorin e Shqipërisë. Menjëherë pas vendimit të apelit të posaçëm, SPAK nxori urdhrin për ekzekutimin e dënimit me 2 vite e 8 muaj burg.
Për ish-kryebashkiakun vijojnë kërkimet për gjetjen e tij dhe zbatimin e vendimit të gjykatës.
Frrokaj u gjet fajtor për shpërdorim detyre në lidhje me tjetërsimin e pronave në vendin e njohur si Rana e Hedhun. Për këtë rast Frrokaj po gjykohej në gjendje të lirë, ndërsa shkalla e parë e dënoi me 1 vit e katër muaj burg.
Më herët Frrokaj në një tjetër vendim të dhënë nga gjykata e Apelit të Shkodrës është dënuar me 2 vite burg për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Ai u lirua nga qelia pak kohë më parë, pasi përfitoi nga amnistia, por tashmë duhet të rikthehet sërish në burg për të vuajtur 2 vite e 8 muaj heqje lirie.