Nxënësit mësojnë armët/ Poloni, mësim në shkolla për të qenë të përgatitur për luftë

schedule16:04 - 24 Dhjetor, 2024

schedule 16:04 - 24 Dhjetor, 2024

Lufta Rusi Ukrainë, konflikti më i madh i armatosur në Europën Lindore që prej Luftës së Dytë Botërore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Moskës kanë shtyrë Poloninë, vendin fqinj me Ukrainën dhe anëtarin e NATO-s që të ndërmarrë më shumë masa për mbrojtjen e vendit.

Qeveria polake ka futur në shkollat fillore dhe shkollat e mesme trajnimin e detyrueshëm të përdorimit të armëve. Fëmijët e moshës 14 vjeçare po mësojnë tashmë në disa orë trajnimi përgjatë javës sesi mund të mbajnë dhe të kryejnë qitje me armë. Synimi kryesor është që të rinjtë e vendit të mësojnë sesi të mbrohen dhe sesi të përballojnë  kërcënimet që shkaktohen nga lufta .

Kurrikula përfshin mësime se si të montosh dhe demontosh një armë dhe si të përmirësosh saktësinë e goditjes duke qëlluar në një shenjë. Gjithashtu kjo kurrikulë përmban mësime mbi sigurinë e shtetit, aktivitete për shpëtimin e civilëve në situata të rënda siç mund të jenë aksidentet apo katastrofat natyrore, dhënien e ndihmës së parë si dhe më shumë informacione  mbi çështjet shëndetësore.

Për të mbrojtur nxënësit, klasat, të cilat zhvillohen në palestrat e shkollave, përdorin armë laser në vend të municionit të vërtetë. Të quajtura “Edukimi për Sigurinë,” lënda është e detyrueshme në klasën e tetë të shkollës fillore dhe në vitin e parë të shkollës së mesme, ku fëmijët janë zakonisht midis moshës 14 dhe 16 vjeç. Ministria e Arsimit në Poloni ka deklaruar se qëllimi kryesor i këtij program është që të rinjtë të mësojnë sesi mund të përdorin në mënyrë të sigurt armët.

Polonia ka rreth 18 mijë shkolla, të cilat janë të gjitha në fazën e implementimit të trajnimit ushtarak për të rinjtë duke përdor armët laser, armë këto që janë njësoj si armët e tjera në ndërtimin e tyre por thjesht nuk kanë karikator me plumba për shkaqe sigurie./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!