NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni

schedule21:29 - 22 Dhjetor, 2024

schedule 21:29 - 22 Dhjetor, 2024

Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Zëri i Amerikës vizitoi një nga zonat ku trupave ukrainase po u mësohen aftësi të reja nga trupat britanike, kanadeze e polake.

Në këtë vend në Poloni, ekipet e tankistëve ukrainas po mësojnë nga ushtarë të NATO-s se si të përdorin tanket gjermane. Kjo si pjesë e një programi të ndihmës ushtarake, financuar nga Bashkimi Evropian. Luftëtarët ukrainas po trajnohen nga trupat britanike, kanadeze e polake.

“Punojmë gjatë gjithë ditës duke përdorur kompjuterët, duke trajnuar tankist pas tankisti. Në këtë mënyrë kursejmë karburantin dhe kur tankistët e përdorin realisht mjetin, jemi të sigurt se ata do të shmangin çdo gabim, për shkak se kanë mësuar në këta kompjuter”, thotë Gjeneral Major i Forcave të Armatosura polake, Piotr Fajkowski.

Puna në këtë qendër pranë kufirit me Gjermaninë përfshin zotërimin e të gjitha aspekteve që lidhen me tanket gjermane Leopard, prej drejtimit të tyre tek riparimi. Po kështu tankistët ukrainas aftësohen ta manovrojnë mjetin me shpejtësi maksimale ndërsa kryejnë ushtrime duke gjuajtuar në terrene të posaçme stërvitore.

Instruktorët thonë se kur luftëtarët ukrainas largohen nga Polonia, ata janë plotësisht të përgatitur për të përdorur tankun gjatë një beteje të vërtetë.

“Sa më mirë të trajnohen trupat, aq më efektive janë ato në fushën e betejës. Po shohim se Rusia, po përpiqet aq shumë të organizojë ofensivën sa nuk kanë kohë për stërvitje të mjaftueshme. Dhe ne po i shohim humbjet e tyre!”, thotë eksperti ushtarak Vaidotas Malinionis.

Trupat ukrainase po trajnohen edhe në Lituani, një vend anëtar i NATO-s. Të dy vendet ndajnë një kufi me Bjellorusinë, një vend aleat i Rusisë. Këto stërvitje të vazhdueshme janë bërë shumë më intensive që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022. Në dy muajt e fundit, këtu janë trajnuar ushtarak të rinj të forcave të armatosura të Ukrainës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!