“Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar prej tij!”, ka thënë Altin Dumani.
Në 5 vjet SPAK e ka demonstruar këtë më shumë se çdo institucion tjetër drejtësie ndonjëherë më parë.
Arriti të depërtonte deri aty, ku askush ndoshta nuk e kishte menduar. Nisi hetime, firmosi urdhër-arreste e çoi në burg edhe me të paprekshmit. Madje edhe ata që kishin drejtuar qeverinë.
Çmontoi edhe nivelin më të lartë të krimit të organizuar, siç ishin organizatat kriminale. Para se SPAK të ngrihej si strukturë, arritja më e madhe e një prokurorie konsiderohej goditja e një grupi të strukturuar.
Duke “ndjekur paratë”, të fuqishmit nisën të bien një e nga një nga froni. Tetorin e vitit 2023 ishte radha e ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit dhe familjes së tij. Fiks një vit pas tij, edhe Ilir Meta e Monika Kryemadhi patën të njëjtin “fat”. Dy prej familjeve më të fuqishme për vite e vite me radhë, sot do të japin llogari para drejtësisë.
Sepse ashtu siç e thotë edhe vete kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, në 5-vjetorin e krijimit të SPAK, përpara ligjit te gjithë janë të barabartë dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar.
Në fakt në këto 5 vjet SPAK duket se po përmbush misionin e drejtësisë, ruajtjes së ekuilibrit të peshores së saj.
Altin Dumani
Ne kemi hetuar zyrtarë të të gjitha niveleve, prokurorë, gjyqtarë, ish funksionarë të lartë të policisë dhe politikanë si dhe grupe e organizata kriminale duke dhënë një mesazh të qartë se drejtësia nuk njeh anë dhe kahe dhe se nuk ka të paprekshëm, nëse ligjet e këtij vendi cenohen, shkelen, nëpërkëmben. Ne kemi forcuar bashkëpunimin institucional me agjenci ligjzbatuese vendase e të huaja.
Në fakt mesazhi i Dumanit në këtë 5-vjetor, duke se ishte drejtpërdrejt për klasën politike. Për ata që kanë qenë për vite me radhë në pushtet dhe kur u erdhi momenti që të jepnin llogari para drejtësisë, nuk lanë rast pa i sulmuar publikisht, madje edhe në sallën e gjyqit.
Megjithatë misioni vazhdon.
Nga dhjetori i vitit 2019 deri në ditët e fundit të vitit 2024, SPAK ka regjistruar 1809 procedime penale për 2496 persona, nga të cilët janë dërguar për gjykim 1387. Për krimin e organizuar janë regjistruar 494 procedime penale për 955 persona. Për terrorizmin SPAK ka 29 persona në hetim dhe ka regjistruar 50 procedime penale. Ndërsa ka konfiskuar 182.5 milionë euro asete kriminale.
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore me vende të ndryshme, nga Bashkimi Europian deri në Amerikën Latine, është një tjetër arritje e Prokurorisë së Posaçme. Deri tani numërohen 42 skuadra të përbashkëta hetimore, prej të cilave 27 janë aktive.
Këto pamje i përkasin operacionit “Uraka 2”, të vitit 2018, kur u godit një rrjet i trafikut ndërkombëtar të drogës, që shkëmbenin hashashin nga Shqipëria me heroinën në Turqi. Në fakt ishte një hetim i nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por më pas i kaloi SPAK-ut, si dosje e parë në nisje të punës 5 vite më parë.
Shumë operacione të ngjashme pasuan punën e prokurorëve të Posaçëm, duke zbardhur linja të tjera trafiku ndërkombëtar e deri të vrasjet e kryera me pagesë për llogari të krimit të organizuar. Fillimisht nga të penduar që u kthyen në bashkëpunëtorë të drejtësisë, siç ishte Nuredin Dumani në dosjen “Plumbi i artë” më pas edhe me ndihmën e ndërkombëtareve që zbërthyen platformën e enkriptuar SKY.
Këto pamje i përkasin operacionit “Metamorfoza” që u zhvillua më 26 korrik 2023. Ndërsa këto janë pamje të operacionit të datës 9 tetor 2023 “Flakë në det”. Emëruesi i përbashkët i tyre është lidhja e krimit me oficerë policie.
Mbrëmja e 20 nëntorit 2023 tregoi se metamorfozë kishin pësuar edhe të tjerë efektivë të Policisë së Shtetit dhe duket se aplikacioni SKY, do ta kthejë këtë në një çështje numrash. Ato që dukeshin si raste sporadike, po rezultojnë një trend në realitetin shqiptar dhe komunikimet pa dorashka të eksponentëve të botës së krimit, po i nxjerrin zbuluar miqtë e tyre të antikrimit.
Në rastin e parë SPAK shpalli në kërkim Ervis Martinajn, një personazh i botës së krimit që në fakt konsiderohet i zhdukur prej më shumë se dy vitesh. Ndërsa në rastin e tjetër u shpall në kërkim armiku i tij, Ervin Mata. Por duhet theksuar se ky operacion nuk kishte lidhje me “Metamorfozën”. Bëhet fjalë për një hetim të nisur një muaj më vonë, por që thelb është thuajse i njëjtë. Trafik ndërkombëtar kokaine, planifikim vrasjesh dhe përfshirje oficerësh Policie në organizatë kriminale.
SKY i erdhi në ndihmë SPAK-ut edhe gjatë vitit 2024, duke zbuluar dhe goditur edhe dy prej organizatave më të fuqishme kriminale, jo vetëm në Shqipëri, por me shtrirje në Bashkimin Europian e deri në Amerikën e Jugut e Dubai. Siç ishte organizata e vëllezërve Çopja dhe ajo e Suel Çelës, të dy grupime të Elbasanit, por që kishin arritur të korruptojnë edhe zyrtarë të sistemit të drejtësisë e oficerë të Policisë së Shtetit.
Por me këtë provë të rëndësishme që po zbulon edhe skutat më të errëta të krimit, ku askush nuk kishte depërtuar më parë, SPAK duket se po vihet përballë një sfide tjetër, përballë Gjykatës Kushtetuese.
Pas një kërkesë të Pëllumb Gjokës, i arrestuar shtatorin e vitit 2023 gjatë operacionit “Metamorfoza”, Kushtetuesja nisi një shqyrtim gjyqësor, pikërisht ditën kur SPAK festonte 5-vjetorin. Në kërkesën e tij, Gjoka synon të konsiderojë të pavlefshme komunikimet në platformën SKY, ku edhe u bazua hetimi dhe arrestimi i tij. Gjykata Kushtetuese pritet të japë një vendim për kërkesat e avokatëve të Pëllumb Gjokës, të cilët pretendojnë se komunikimet nuk mund të përdoren si prova nga Prokuroria dhe Gjykata apo do të lerë në fuqi masën e “arrestit në burg” bazuar mbi komunikimet e zbardhura të SPAK.
Në një kohë që gjykatat e disa vendeve, i konsiderojnë si indicie mesazhet e SKY dhe jo si provë ligjore, disa të tjera kanë vendosur për të kundërtën.
Një vendim të tillë ka marrë edhe Këshilli i Gjykatës së Lartë në Malin e Zi më 17 dhjetor 2024. Gjykata e Lartë e vendit fqinjë e konsideron komunikimin e deshifruar nga aplikacioni SKY si provë juridikisht të vlefshme, duke argumentuar se është marrë duke zbatuar dispozitat materiale dhe procedurale të ligjeve të Republikës së Francës. Gjithashtu edhe duke u bazuar në urdhrin e gjyqtarit hetues të disa gjykatave franceze dhe përputhshmërinë e këtyre dispozitave me kushtetutën e Francës, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të drejtës së privatësisë dhe të së drejtës së mbrojtjes në vepra penale, procedura është shqyrtuar nga Këshilli Kushtetues i atij vendi. Ky ka qenë vendimi i gjykatës malazeze pas një apelimi që ishte bërë nga një grup kriminal i akuzuar për kontrabandë cigaresh, i hetuar në bazë të komunikimeve në SKY.
Megjithëse ndodhen përballë kësaj sfide, kur Kushtetuesja ende nuk ka dhënë një vendim, SPAK vijon hetimet edhe për raste të tjera trafiku lëndësh narkotike e korrupsioni që kanë dalë gjatë bisedave në platformën SKY.
Për 5 vite të punës së Prokurorisë së Posaçme, vendin e parë e zënë procedimet penale kundër korrupsionit, konkretisht 1097 procedime me 1036 persona në hetim. Mes këtyre personave, 61 janë zyrtarë të lartë. E duket se ky drejtim po i përball prokurorët e SPAK edhe me kërcënime e intimidime nga ana e disa prej politikanëve më të pushtetshëm.
Altin Dumani
Ajo që na frymëzon të gjithëve është sa afër ndjehemi me publikun, sa i prekshëm është sot jo vetëm besimi i tyre, por rrëzimi i një mendësie e cila e toleron korrupsionin, ku korrupsioni kalon vjedhurazi në fusha të ndryshme të jetës sonë i pandëshkuar, ku krimi bën plane të legjitimojë paligjshmërinë në hallka të ndryshme të jetës. Ne jemi përpjekur modestisht që në këto 5 vite të tregojmë se korrupsioni sfidohet, se krimi i organizuar mund të vihet përpara përgjegjësisë, se sot nuk mund të ketë zyrtarë të lartë publikë të imunizuar nga drejtësia, se ligji funksionon, dhe se të rinjtë mund të shpresojnë fort në një shtet të së drejtës. Kjo përpjekje e jona e deritanishme nuk ka kaluar pa vështirësi. Korrupsioni apo krimi nuk mund të zhduken brenda ditës; jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë, me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë.
Këto kërcënime dhe përpjekje për të minuar punën e SPAK-ut, siç thotë Altin Dumani, janë edhe rrjedhojë e veprimeve konkrete për të goditur korrupsionin edhe aty ku askush më parë nuk kishte guxuar.
Hetimi për dosjen “Partizani” dhe arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta jo më kot konsiderohen historike. Tetorin e vitit 2023, SPAK ngriti akuzën e korrupsionit për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Gjykata e Posaçme vendosi masën “detyrim paraqitje”. I bllokoi edhe pasaportën duke ia ndaluar në këtë formë largimin nga Shqipëria. Ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u arrestua. Përveç prangosjes nisi edhe sekuestrimi i 23 pasurive të tij, të ndara në llogari bankare, apartamente, njësi shërbimi dhe shoqëri tregtare. Tashmë Gjykata i ka ndryshuar masat për të dy, por dosja është dërguar në gjyq dhe ndodhet në fazën paraprake ne pritje për të kaluar për gjykim.
Privatizimi i Kompleksit Partizani në vitin 2008 nga ish-pronarët, mes tyre edhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, konsiderohet nga SPAK si burimi i të ardhurave të mëparshme të këtij të fundit dhe vajzës së Berishës, Argitës. Por privatizimi, më shumë se çështje e një përkatësie të drejtë, u bë i mundur si rezultat për familjen e ngushtë dhe si pasojë për shtetin, nga dora e pushtetshme e fatit, që sipas dosjes hetimore quhet Sali Berisha, në atë kohë kryeministër.
Në 500 faqe akt akuzë për ish-kryeministrin Sali Berisha SPAK vë në rolin e një lloj “prestanome”, të Berishës, Jamarbër Malltezin. Hetimet e SPAK provojnë përfitime marramendëse, që nga biletat e udhëtimeve, pagesat e fushatave, apartamente e çdo gjë tjetër. Të gjitha këto nëpërmjet dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
E një vit pas Berishës, ishte radha e një tjetër politikani, që për 34 vite pluralizëm, kishte provuar të gjitha detyrat më të rëndësishme shtetërore. Ishte radha e Ilir Metës. Në ditët në vazhdim, pas shkurtit të vitit 2023, Meta nuk do ta fshihte me shqetësimin, duke shënjestruar vetë kreun e SPAK Altin Dumani.
Metës nuk i doli e keqja as ditën që u arrestua, kur bëri rezistencë dhe forcat e Policisë u detyruan ta nxirrnin me forcë nga makina për ta prangosur e madje as në sallën e gjyqit, kur u përball me 3 prokurorët e çështjes, Sotir Kllapin, Altin Dumanin dhe Arben Krajën. Edhe pse “inatin” e kishte vetëm me njërin në veçanti. Me Altin Dumanin.
Për ditë me radhë të gjithë zgjodhën të komentojnë momentin e arrestimit të tij, nëse e meritonte një ish-president atë lloj shfaqje. Madje edhe vetë Monika Kryemadhi nuk nguroi të sulmonte policët që e arrestuan.
Ndoshta jo pa qëllim ishte kjo zgjedhje, për të lënë disi në hije dosjen me akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos e Ema Çokut. Por edhe sa mund të zgjaste kjo. Fashikujt e një dosje voluminoze të SPAK herët a vonë do të bëheshin publike. Ashtu sikurse edhe ndodhi.
Por Berisha e Meta nuk ishin politikanët e vetëm që ranë në rrjetën e Prokurorisë së Posaçme, megjithatë padyshim që ishin më të rëndësishmit.
Hetimit dhe prangave të SPAK nuk i shpëtuan edhe shumë të zgjedhur vendorë, kryebashkiakë e administratorë, deputetë, ish-ministra e ministra, duke dëshmuar atë që vetë kryeprokurori Dumani thekson, paanshmërinë. Por dhe faktin që misioni i Prokurorisë së Posaçme nuk përfundon me dosjen e radhës, por vijon me tjetrën.
Altin Dumani
Ndaj e themi pa ngurrim sot, se SPAK është i fortë, sepse është i pavarur dhe se aspirata jonë e përbashkët është, të kemi një sistemi drejtësie të fortë, ku ligji zbatohet dhe nuk është privilegj për disa dhe vuajtje për disa të tjerë që enden në kërkim të drejtësisë. Nuk është qëllimi dhe misioni ynë të dënojmë dikë. Mendohemi dhe kujdesemi seriozisht që në punën tonë të orientohemi nga ligji dhe respektimi i te drejtave të njeriut. Por shoqëria shqiptare na ka ngarkuar më një mision jetik, siç është lufta pa kompromis ndaj atyre që e kanë kapur dhe e shfrytëzojnë atë padrejtësisht. Ndaj drejtësia ka misionin e krijimit të ruajtjes së ekuilibrit të peshores së saj, në mënyrë që i gjithë sistemi të funksionojë në shërbim dhe në dobi të qytetarëve, pa asnjë dallim: Të gjithë të barabartë përpara drejtësisë.
E duket se sot pas 5 vitesh, 20 prokurorët e SPAK dhe 60 hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë të vendosur për të rrëzuar mendësinë që toleron korrupsionin dhe planet e krimit për të legjitimuar paligjshmërinë. Me sa duket ky është vetëm fillimi.
/abcnews.al/