Nuk është ndonjë trofe I jashtëzakonshëm, por është gjithmonë bukur kur fitohet.
Miluoki Baks është triumfatori I Kupës së NBA-së, pas një finaleje të dominuar ndaj Oklahomës.
Në Arenën e Las Vegasit, në qytetin e dritave dhe të mëkatit, kapiteni I Miluokit, Janis Adetokumbo nuk mund të thuhet se bëri ndonjë gjë të keqe.
Basketbollisti me fizik të mrekullueshëm ishte më I miri në fushë, dhe suksesi me shifrat 97-81 u arrit kryesisht falë tij.
Adetokumbo pati “tripëll dabëll”, diçka që nuk pritet shumë prej tij, pasi nuk është menduar që ai duhet të ketë vizion loje dhe të shërbejë pasime për kosh për shokët.
Shtatlartë 2.08 metra, ai shënoi 26 pikë, kapi plot 19 topa në tabela dhe arriti në 10 asistë.
E gjitha kjo në 37 minuta në parket.
Adetokumbo u ndihmua sidomos nga Damien Lilard me 23 pikë, si dhe Bruk Lopez e Trent me nga 13, ndërsa Oklahoma nuk e pati në ditën më të mirë, yllin e saj kryesor, Gilgeous-Aleksander.
Ky ishte edicioni I dytë I Kupës së NBA-së, ndërsa vjet fitues ishte një tjetër yll I madh, legjenda Lebron Xhejms për Los Anxhelos Lejkërsat.