Sot u hap gara ndërkombëtare për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, vlera e investimit të së cilës arrin në 370 milionë euro dhe punimet parashikohen që të përfundojnë në 2030. Kjo linjë hekurudhore do të ketë një shpejtësi prej 120 km në orë dhe do të jetë tërësisht elektrike.
Eksperti për ekonominë, Adrian Civici deklaroi se fakti që transporti hekurdhor në vendin tonë nuk është i zhvilluar na “izolon” nga një treg më i madh si rajonal apo ndërkombëtar. Për “Money Report”, eksperti shtoi se investimet në hekurudhë do t’i japin një frymëmarrje më të madhe ekonomisë.
Ai deklaroi se ndikon gjithashtu në përthithjen e investimeve të huaja dhe në turizëm.
“Ky projekt i madh duhet parë në tre plane. Së pari, plani i brendshëm që Shqipëria ka nevojë urgjente për të zhvilluar sistemin hekurudhor të saj, sepse në raport me transportin ajror dhe rrugor, ai hekurudhor është aspak i zhvilluar. Edhe zhvillimi ekonomik dhe nevoja për t’u lidhur me fqinjët tanë, është e domosdoshme. Nga ana tjetër, edhe vetë BE, në disa paketa ndihmash, ka përcaktuar sasi të konsiderueshme fondesh për t’i investuar në këto objekte infrastrukturore që realizojnë integrimin më të mirë nga pikëpamja e sistemit hekurudhor të vendeve të BP, dhe së dyti, perspektivën e integrimit. Tek një pjesë e fondeve nuk vijnë vetëm për ndihmën ekonomike por edhe për të integruar projekte të mëdha në rrjetin evropian të transportit hekurudhor, rrugor dhe ajror, për ta bërë Shqipërinë pjesë të kësaj mega infrastrukture evropiane.
Jemi të vonuar në këtë zgjidhje për këtë investim sepse nga disa pikëpamje është e domosdoshme. Edhe thjesht nga lëvizja e njerëzve, një nga parimet e të gjithë marrëdhënieve të tregtisë së lirë është lëvizja e njerëzve dhe mallrave, sistemi hekurudhor është një nga sistemet më të shpejta dhe më pak të kushtueshme. Dhe ka pasur disa raste në investimet e huaja direkte, ose projekte bashkëpunimi të Shqipërisë me rajonin, që nuk janë realizuar për faktin se ne nuk e kemi këtë lloj lidhje dhe na “izolon” nga një treg shumë i madh. Besoj se këto projekte, i japin frymëmarrje jo vetëm qarkullimit të njerëzve edhe të mallrave dhe zhvillimit ekonomik.“, u shpreh Civici./abcnews.al