Kreu i PD, Lulzim Basha ishte këtë pasdite në spitalin e Durrësit për të parë nga afër të plagosurit nga tërmeti.
Në një prononcim për mediat, Basha u pyet nga gazetarët për gjendjen e pacientëve por edhe për strukturën e Urgjencës, që u dëmtua pak më parë nga tërmeti.
Lidhur me këtë Basha tha se gjendja paraqitet stabël, teksa ka shprehur mirënjohjen mbështetjen totale për personelin shëndetësor.
“Arsyeja e rikthimit tim në këtë spital është për të parë gjendjen tek Reparti i Urgjencës, kryesisht, pas tërmetit. Pas goditjes së orës 12.00, gjendja paraqitet stabël. Është bërë një kontroll nga ekspertët, nga inxhinierët strukturorë, të cilët e kanë certifikuar se mund të vazhdojë punën. Dua të shpreh mirënjohjen time dhe mbështetjen totale për personelin shëndetësor të Spitalit të Durrësit, nga drejtuesja e spitalit, tek mjekët, tek infermierët, personeli sanitar, personeli ndihmës, të cilët janë heronj të vërtetë, sepse kanë përballë një volum të jashtëzaknshëm në kushte shumë të vështira”, tha Basha.
“Mirënjohje kam edhe për personelin, që është i pranishëm, për të përforcuar punën e tyre dhe për ekipet e ardhura nga jashtë, të cilët siç i patë edhe vetë, po ndihmojnë sa munden me praninë e tyre.
Mendjet dhe zemrat tona janë me familjet e të lënduarve, me të lënduarit dhe me të gjithë ata që po japin ndihmën e tyre të pakursyer në këtë orë të vështira për Durrësin dhe qytetarët e Durrësit.
Me këtë solidaritet të paparë, me këtë qëndrim afër njëri-tjetrit, me këtë dhembshuri dhe me këtë sens humanizmi, që ka shoqëruar punën e çdokujt, edhe të vullnetarëve, mjekëve, infermierëve, personelit të emergjencës. Kemi treguar se, në raste të tilla, dimë të sillemi dhe të jemi një familje e madhe pranë njëri-tjetrit dhe ndaj jemi këtu dhe do të vazhdojmë te jemi këtu me njerëzit tanë për t’u qëndruar sa më afër, për t’u dhënë mbështetje dhe çfarëdo ndihme, sado modeste, çdokujt që është në nevojë”, shtoi kryedemokrati më tej.
Po ashtu Basha u ndal edhe tek mediat, të cilat i falenderoi.
“Dua të falenderoj nga zemra edhe mediat për raportimin, që është kyç për informimin e qytetarëve. Informimi i qytetarëve është mënyra më e mirë për të luftuar keqinformimin, panikun, shokun, tronditjen dhe stresin, ndaj, dua t’ju kërkoj të vazhdoni të raportoni me profesionalizëm, duke qëndruar brenda kufijve të profesionalizmit, për të raportuar gjithçka pa censurë dhe pa vetëcensurë”, tha Basha./abcnews.al